Tuesday, April 24, 2012

HAZRETI FATIME ZEHRA S.A. FEMRA SHEMBULLORE


                       

HAZRETI FATIME ZEHRA S.A. FEMRA
 SHEMBULLORE
    

Autor : Ikballe Berisha Huduti                                                        Prishtinë Maj 2010



Bismil-lahir-rahmanir rahim.
Allahumme sal-li ala Fatimete ve ebiha ve baëliha, ve beriha ve sir-ril mustewdii’fiha bia’dedi ma ehata bihi i’lmuk.
“O Allah dërgoje bekimin Tëndë mbi Fatimen dhe babain e saj, burrin dhe bijt e saj,  me fshehtësinë që iu është caktuar asaj, që është vetëm në dijen Tënde.”

HAZRETI FATIME ZEHRA S.A. FEMRA SHEMBULLORE

Abstrakt
Punimi  me tematikë “ Hazreti Fatime Zehra s.a. shembull femëror” do të shfaqë karakterin dhe personalitetin e një femre me plot virtyte njerëzore dhe mbinjerëzore, e cila është Hazreti Fatime Zehra  s.a. (paqa qoft mbi të) përndryshe bija e çmuar e Profetit Muhamed s.a.a. (pqmtf).
 Karakteri , personaliteti dhe virtytet e saja të mrekullueshme në këtë punim tematik do të  paraqiten   me qëllim që të bëhet një  shembull krahasim  dhe imitimi për të gjitha femrat në botë, duke reflektuar dhe të influencuar  të gjitha femrat e botës.
 Duke përkujtuar  qëndrimin e bukur  femëror të kësaj  krijese madhështore, do të mundohemi të paraqesim  shëmbëlltyrën e sajë të pashembullt të pa imituar nga askush më parë, por  të  dhuruar nga fisnikëria e Zotit dhe të mësuar e edukuar nga babai i saj i Dashuri i Allahut dhe nga  nëna e saj Hatixhe Kubra. Kjo shëmbëlltyrë  do të pasqyroj Fuqinë, Lartësinë, Mrekullinë dhe Urtësinë e Allahut të Lartësuar i cili paraqitet në virtytet e krijesave të Tij  më të afërta dhe më të dashura.
Qëllimi bazë i këtij punimi është që të pasqyrojmë karakterin, veprimtarin  dhe misionin e saj në këtë botë, si dhe indikacionet dhe lëvizjet shpirtërore që të mund të influencojnë te personaliteti i femrave të ditëve të sotme.

HYRJE
Sot myslimanët në botë e festojnë ditëlindjen e vajzës së dashur të Profetit Muhamed (pqmtf – paqa e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij)  pra ditëlindjen e Fatime Zehras s.a., e cila me jetën e shkurt që jetoi ndriçoi si një yll flakërues në gjithë shoqërinë  njerëzore dhe poashtu arriti të tregoj përsosmërinë e njeriut të përkryer.  Ajo ishte një pasqyrim i madhështisë së një gruaje dhe ishte një shembull i krijimtarisë së Allahut të Lartësuar.
Pa dyshim, Hazreti Fatimja është shquar si figura më e dashur e fesë, etikës morale, virtytit,  kulturës dhe devotshmërisë që nuk mund të gjendet  shembull më të bukur para e pas saj e deri në ditë të Kijametit.  Është krenari që ne ymeti   mysliman  krenohemi me virtytet e  Hazreti Fatimes s.a. Është e mjaftueshme që i Dërguari i Allahut është babai i saj, është e mjaftueshme që bashkëshorti i saj është Imam Alia paqa qoftë mbi të, udhëheqësi  më i përkryer i besimtarëve, është e mjaftueshme që Hazreti Fatimja është nëna e Imama Hasanit dhe Husejnit (paqa qoftë mbi ta) si dy personalitete të shquara të dy botëve.
            Ne nuk kemi çka të flasim për Hazreti Fatime Zehran s.a., veprat e saj flasin për të, ndërsa ne vetëm e pasqyrojmë këtë personalitet. Ajo fletë për jetën personale, shoqërore, për virtytet dhe pozicionin e femrës nga këndvështrimi i Kuranit i haditheve të Pejgamberit, haditheve të dijetarëve mysliman e jo mysliman. Me shpalosjen e këtyre qëndrimeve  të Zotit dhe të njerëzve të mëdhenj dijetarë, ne do të bëjmë një krahasim relativ që mund t’i shërbej çdo njërës femër që dëshiron të jetoj e lumtur dhe e kënaqur me të dy jetët duke e pasur shembull Hazreti Fatime Zehran s.a. (paqa e Allahut qoftë mbi të).   

LINDJA DHE JETA

 Ishin vitet e para të  predikimit të fesë Islame në Gadishullin Arabik, e njëzeta ditë e shenjët e muajit  Xhemadul Ahir. Nëna Hatixhe Kubra dhe babai i dashur Profeti  Muhamed s.a.a. shkëlqenin nga gëzimi i lindjes së kësaj vajze të vogël të veçantë nga të gjtha foshenjet tjera që kishin më parë. Ishte e veçantë sepse kishte lindje të veçantë si askush më parë.
Askush nuk dëshironin ta ndihmonin lehonën e ardhshme Hazreti  Hatixhen ( Allahu qoftë e kënaqur me të), kishin  arsye xhelozie,  sepse  ishte gruaja e mashkullit më të mirë të Medines dhe  ajo kishte  një shtatzënësi të çuditshme si kurrë ndonjëherë. Prania e saj në çdo vend kundërmonte me një aromë të këndshme nga xheneti. Fytyra e Pejgamberit kur shikonte fytyrën e Hatixhes i jepni shkëlqim të dyanshëm dhe ndriçonte  një dritë e papërshkruar që foshnja e ndiente në trupin e nënën së saj. Mrekullia e Zotit ishte se fliste foshnja me nënë e saj ende pa ardhur në këtë dynja. Shpirtrat  ndjenin  shpirtin e vogël, u bashkuan tri drita të papërshkruara për të dhuruar  trashëgimin e pafund  të imamëve të pagabueshëm.
            Megjithatë kur iu afrua koha e lindjes, Hatixhes iu largua frika sepse u përgëzua me pranin e katër zonjave nga xheneti, gra me butësi,  shenjtëri dhe bukuri të papërshkruar hynë në shtëpinë e Ehlul Bejtit ( Familjes ë Pejgamberit).
-E para tha: “Unë jam nëna jote, Hava”
-e dyta tha : “Unë jam Ummi Kulsumja, motra e Musas.”
-E treta tha: “ Unë jamë Asija Bint Muzaim”
-E katërta tha: “Unë jam Merjemja nëna e Isasë”
- Kemi ardhur të të ndihmojmë thanë të gjitha së bashku, jemi shumë të gëzuar që kemi nderin të lidhim në lulak të ri! 
Lindja e Fatimes ishte përgëzim dhe nënçmim. Besimtarët e mirëpritën sepse besonin në caktimin e Allahut, ndërsa injorantët dhe smirëkeqit e ofendonin  babin e kësaj foshnje, në vend të urimit i thoshin “ebter” që ishte ofendimi më i ulët për një mashkull që donë të thotë “farësosur, pa trashëgimtarë”.  Injorantët pabesimtarë i thoshin,
- “ O Muhamed, ti thua se je i Dërguari dhe i Dashuri i Zotit,  po të kishte dashur Ai ty, pse nuk të dërgoi një djalë, pse po punon për Të, kush do ta vazhdoj punën tënde misionin tënd profetik, ti nuk ke djalë ti je farësour, kur do të vdesësh emri yt do të tretet në faqe të dheut, s’do të ketë njeri për të vazhduar rrugën tënde”
Por nga ana tjetër Allahu i Lartësuar  e përuroj të Dashurin e tij me këto fjalë:
بسم الله الرحمن الرحيم  
 إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ اِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ


Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirplotit.
Ne të dham ty, me të vërtet të mira shumë të mëdha.
Prandaj falu dhe preje kurbanin për Zotin tënd.
Ai që të urren ty, me siguri Ai është farësosur    ( Kur’an- Surja Kewther.)
Mentaliteti i arabëve ishte i till, se vetëm përmes fëmijët mashkull mund të vazhdojë dhe trashëgohet fisi dhe lloji i tyre, dhe se trashëgimia vazhdon vetëm përmes djalit e kurrsesi vajzës.  Femra  ishte e zhytur në greminën e mundimshme, që neve na mjafton ta kuptojmë rastin e vajzës së gjorë të Omer Ibnul Hatabit, që e varrosi vajzën 10 vjeqare  me duart e tij, ndërkaq duart e vajzës e fshinin djersën e babait që e gërmonte varrin për të.
Kësaj here Allahu vërtetoi se përmes fëmiut femër do të trashëgohet e gjithë bota me bijtë e saj lider shpirtëror, që ende na udhëzojnë me  këshillat e tyre të kohë pa koheshe që janë në pranin tonë  me Imam Zamanin  a.s.  
Ndërkaq ata që iu lavdëruan se kanë nga katër djem e më shumë, ata Allahu i bëri farësosur “اِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُedhe pse kishin pasur fëmijë mashkull, turpet dhe ligësitë e djemve të tyre  mbetën tragjedi trishtimi  në këtë botë, që të tjerët të marrin shembull për të keq, dhe  kjo u bë ashtu si deshi Zoti ata mbetën farësosur, e njerëzia prej atëherë e deri më sot askush nuk emroi fëmijën e tij Jezid e Muavi, ata mbetën për mallkim, ndërsa Familja e Pejgamberit i dha nderë gjithë botës me emrat e bukur  Hasan e  Husejn.
Lindja e Fatimes s.a. ka qen lindje e veçantë, sepse ajo nuk ka lindur për të jetuar, por ka ardhur në këtë botë që të mund të  lind në botën tjetër dhe të jetë lidere e Xhenetit me gratë më të çiltra, më të pastra, më të devotshme që e meritojnë pranin e saj.  Allahu ka treguar me   qenien e saj, etikën, edukatën, përsosmërinë, sinqeritetin, çiltërsinë, mëshirën devotshmërinë, sakrificën,  që njeriu i thjesht nuk mund t’i posedojë të gjitha këto virtyte, por  vetëm nëse e merr shembull Hazreti Fatimen s.a., babain e saj Pejgamber burrin dhe fëmijët e saj lider.
Ajo nuk ka lindur për të vdekur, ajo ka qen e veçantë,  është lindur nga zanafilla e Dritës, është ngjizur nga trupi i Dritës, ka ardhur në këtë botë  nga duart e Grave të Dritës, është rritur duke e parë dritën e shenjët të Xhebrailit që fliste me babain e saj, dhe ka jetuar me grimcat e dritës, gjersa është takuar me Dritën më të madhe që ka qen pjesë e dritës së saj.
Ajo nuk është asgjë tjetër veçse Dritë.

“ ATESH NIST, BELKI NUR EST,
NURUN NUR, BISMIL-LAHI NUR,  NURUN NUR ,
 NURUN ALEN NUR ,  JANI FATIME”
“Zjarr nuk është, ndoshta dritë është.
 Dritë e dritës, në emër të Zotit Dritë,
 Dritë përmbi drita, dritë mbi të gjitha dritat, është pra Fatimja”

             Parashtrojë pyetje vetes sime se si mund  të kuptohen, interpretohen këto tekste kur’anore  dhe ndodhi të veçanta në kohën tonë bashkëkohore?
Dikush mund të thotë se janë mit.! Me dritën ka të bëjë edhe Merjemja, andaj si është e mundur që Merjemja të lind një fëmijë pa baba,  apo Fatimja të lindet nga katër gratë e xhenetit pa fizikën por me  nurin e tyre,  si është e mundur që Fatimja të mbetet një burim KEWTHER i pashtershëm deri në ditë të Kijametit?
 Është thënë që moti se mitet janë krijimtari dhe art.  Ato përbëhen nga përralla, legjenda e folklor. Por, sot qarkullojnë shume hipoteza se si arti gjithmonë i ka paraprirë shkencës. Kur e kanë pyetur V. Nabakovin lidhur me shkencën dhe artin ai ka thënë:“ Nuk ka shkencë pa fakte dhe art pa zbukurime”, pra artisti a krijuesi trajton jo vetëm pamjen e jashtme të realitetit, por edhe të brendshmen që përbehet nga fantazi, mite, ëndrra, ndjenja, shpirt.
      Deri para një shekulli, shkencëtarët merreshin vetëm me anën e jashtme të lëndës duke studiuar formën, lëvizjet, përbërjen fizike, forcën etj. Në vitin 1905, Ajnshtajni doli me idenë se “drita mund të jetë objekt fizik i përbërë nga grimca shume të vogla të quajtura fotone.” A nuk ishte provuar për qindra vjet me  eksperimente se drita ishte thjesht një valë, ndërsa tani Ajnshtajni, i ri në moshë e në shkencë,  thyente çdo ligj shkencor duke thënë se drita përbëhej nga grimca fizike. Ajnshtajn ndihmoi për të provuar se drita është edhe materie. Por i nisur nga një arsyetim i ngjashëm i përmbysur, del se bota është jo vetëm fizike por edhe shpirtërore. Ajnshtajni ishte hebre dhe Talmudi (libri i shenjtë hebraik) përmban edhe një bisedë midis Zotit dhe Abrahamit:
Zoti: - “Po të mos isha Unë, ti nuk do të ekzistoje”
Abrahani:- “Po Zot është e vërtetë e të jam mirënjohës. Por po të mos isha unë, Ju nuk do të njiheshit”.
Rasti tjetër lidhur me dritën dhe Profetin Muhamed s.a.a është i njohur  dhe i argumentuar, se kur  i Dashuri i Allahut  fliste me Xhebrailin që ishte me përbërje të dritës, për të më nuk kishte rëndësi fizikja por bisedonte drita me dritë, pra shpirti me shpirt, e Drita e Fatimes ishte në një qoshe të dhomës që e shikonte me syrin e saj të dritës babain e saj pejgamber duke biseduar me shpirtin e shenjët të Xhebraili, dhe kënaqej me ato bisedime që iu ishte lejuar vetëm asaj.
Me dritën e shenjët kishte të bëjë edhe  Imam  Aliu (pqmt), ishte i plagosur me një shigjet në këmbë, të cilën ishte shumë vështirë për ta nxjerr  nga këmba  dhe trupi po helmohej, mjekët nuk kishin zgjidhje më të mirë, duhej prerë këmba. Por këtu urdhëroi Pejgamberi dhe i tha: -Kur të hynë Aliu në namaz atëherë operojeni atë, dhe kështu u bë. Gjersa Aliu ishte në namaz fizikja e tij nuk ndiente asgjë, e shigjeta e helmuar u largua pa asnjë uh e rënkim, sepse Aliu a.s. ishte nur, dhe fliste nuri me Nurin.  
            Ky dialog bëhet midis natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës, mitit dhe krijimit, e njeriut në vetvete midis pjesës së djathtë e të majtë të trurit. Gjithashtu, dialogu Zot - Ibrahim tregon se njeriut gjithmonë i është dashur të besojë e njëkohësisht të shohë me dyshim atë që beson.  Por të devotshmit  janë ata  që besojnë në të fshehtën, “Eledhine juëminune bil gajbi.
      Kanë kaluar mijëra  vite ku  Mejremja dhe Fatimjeja,  prej besimtarëve të krishterë dhe muslimanë, që përbëjnë afër gjysmën e njerëzimit, e  besojnë si një shenjë nga Zoti fuqiplotë, ndërsa gjysma tjetër këtë shenjë nuk pranon si besim, por e shikon me dyshim.

 KARKTERI DHE PERSONALITETI I HAZRETI FATIME ZEHRAS  SHEMBËLLTYRËS FEMRORE

Për çdo femër myslimane është me rëndësi që të bijën e Pejgamberit  (pqmtf), ta konsiderojë si një shembull të përkryer e një model të rrallë. E vërtetë është se Fatimja ishte një personalitet krejt tjetër nga të gjitha femrat e botës. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se është pjesëz e Resulullahut, që mori shumë nga virtytet e lavdëruara e cilësitë  e tij të rralla.  Rritja dhe prania e Fatimes pranë babait Pejgamber  dhe Zonjës së Madhe nënës Hatixhes,  e bënë që vjaza e tyre të arrijë një shkallë të lartë në besim, dituri dhe përkushtim.
Ne, të pranishmit e shekullit XXI duhet të jemi krenar që kemi një model shembullor  për nënë baba dhe fëmijë, e ky shembull është Familja e përkryer e Pejgamberit s.a.a. (pqmtf).  Hazreti Fatimja  s.a. ka pasur fatin e madh të lind e jetoj me prindër shumë të ngritur me virtyte të larta njerzore, por çka duhet të bëjmë ne? A jemi ne fëmijë të dikujt, e jemi ne nëna të dikujt, a jemi ne baballarë të dikujt, a jemi ne bashkëshorte të dikujt, a duhet të hulumtojmë jetën e të mëdhenjve të botës, çka ka mundësi të praktikojmë nga këto njohuri të mara,  a mund të puqen  ndodhit e para katërmbëdhjetë shekujve në këto ditët e sotme? Këto janë pra pyetjet që duhet të na preokupojmë dhe na shtynë që të formojmë një jetë më ideale, sepse është fati jonë që neve na ka zgjedh Zoti të jemi nga Umeti Muhamed, dhe se duhet të jemi mirënjohës, se për hir(hatër) të Muhamedit (pqmtf),  Allahu na mëshiron  dhe largon ndëshkimin, ashtu siç na ka premtuar Ai,  e jo siç e meritojmë ne.
Shtrohet pyetja, çka  duhet  të bëjmë ne?
Të gjitha gjeneratat e tashme dhe të  ardhshme të umetit Muhamed  duhet shfaqur inteligjencë, kujdes, shkathtësi, sakrificë, dashuri ndaj virtytit dhe karakterit të Hazreti Fatimes s.a. Gjithë kjo kërkon një punë të madhe për të cilën duhet bindje dhe durim, dhe kërkon të kemi një  vizion më të largët  për ardhmërinë e  bukur të shoqërisë, vetëm atëherë  ne do të  jemi në gjendje të marrim hapa për të ndryshuar jetën tonë duke e pas shembull  Hazreti Fatimën dhe shtëpinë e saj.  
Ngjizja e Fatimes (pqmt) në trupin e Nënën Hatixhe ishte një porosi nga Allahu që ia përcjelli  të Dashurit të tij  gjersa ai ishte në Miraxh, ndërsa  molla e xhenetit që ia dhuroi Meleku Xhebrail,  ishte eliksir i dashurisë hyjnore në mes qiftit të mrekullueshëm.
 Fatimja s.a. nuk kishte vëllezër  për të lozur me ta, por ajo e donte aq shumë babain e saj sa që nuk e ndiu mungesën e vëllait, bile të kundërtën e saj ajo e ndjeu kënaqësinë dhe  përgjegjësin që nga fëmijëria se duhet të kujdeset për babain e saj me një fuqi dhe guxim mashkullor sa herë që të paraqitet nevoja.
 Duart e saja të vogla shumë herë janë gëzuar, sepse sa herë që hynte  brenda në shtëpi, babai ia puthte me buzë të ngrohta dhe i ledhatonte me mjekrën e tij.  Ato duar të vogla shpesh herë kanë qen të zëna duke ia pastruar fytyrën e babait  për t’ia parë shikimin e pikëlluar që ia sjellin mushrikët e pa nderë. Duart e saja më vonë u bënë shumë të shkathta në çdo sferë të jetës, si në luftë e në liri lidhën plagë me dhimbje e dashuri për shehid e gazali.
 Sytë i  kishte ngjyrë gështenje, kur ato nguliteshin në një vend ato rrëfenin shumë, lëkura e bardhë me një hije të shkëlqyer ia vinin në dukje vetullat e saj si hëna pesëmbëdhjetëshe. Sytë e saj panë shumë, e panë vdekjen e nënës që në fëmijëri, por e panë edhe dritën e Xhebrilit kur fliste me babain e saj. Pejgamberi e mësonte se shikimi i fëmijut  në sytë e prindërve është ibadet (vepër adhurimi), andaj ata babë e bijë ishin si bebëza e syrit të njëri tjetrit, dhe bënin ibadet duke e shikuar me respekt.
Të folurit  e saj që nga fëmijëria ishin të lidhur me zemrën dhe arsyen, sepse veprimet e babait,  kështu e kishin mësuar dhe ndikuar. Ajo fliste fjalë të shenjta që nga fëmijëria e hershme duke u rritur me ato fjalë  Kur’anore nën hijen e Shpalljes. Rrjedhshmërinë e të folurit e trashëgoi nga babi i saj e më pas e përforcoi nga burri i saj Imam Aliu a.s.  Kur Fatimja fliste  njerëzit shpesh përloteshin nga fjalët e saj, fjalët e saja ishin të drejta, të sinqerta, të matura me zgjuarsi me çiltërsi. Fjalët e saj të jepnin besim e vullnet për të ardhme, ajo kurrë nuk fliste fjalë të trishtueshme pesimiste, por vijat e fytyrës së saj flisnin për një optimizëm dhe nxitje që njerëzit Islamin e pranonin me dashuri e jo me frikë. 
Ecja e Fatimes s.a. ishte e njëjtë si e babait të saj, kishte aq shumë ngjashmëri në të ecur sa që ata nuk ishin dy persona ata ishin një në esencë, prandaj i Dashuri Allahut shpesh herë thoshte “ Se Fatimja është pjesë e trupit tim, Fatimja është nga unë, çka jam unë për burrat Fatimja është për gratë e shumë fjalë tjera të bukura”.
Me një fjalë ajo ishte filozofe e kohës,  ajo nuk e zgjedhi të lehtën e jetës  por ajo e zgjedhi të drejtën, dhe lëshoi këtë botë për shkakë të drejtës, dhe i la jetim katër fëmijët e saj  të mitur të pa ngopur me dashurin amnore, i la jetim  nën mbikëqyrjen e babit, sepse edhe vet mbeti jetim nën mbikëqyrjen e Pejgamberi s.a.a. Fjala jetim është fjalë më e dhembshur, këtë dhimbje e përjetojnë ata që janë jetim, andaj jetimi ka gëzimin  dhe  Shefaatin ( mbështetjen) më të madhe të Hazreti Fatimes e të Pejgamberi s.a.a. i cili u lind jetim pa baba dhe mbeti jetim i vogël pa nënë. Ndërsa babai i të gjithë jetimëve të botës u bë  Imam Ali a.s. që e trashëgoi këtë përkujdesje nga babi dhe nëna e tij të cilët e rritën Muhamed edhe pse kishin shumë fëmijë e varfëri.
Fatimja ishte gjëja e vetme mbas vdekjes së zonjës së Madhe  Hatixhe. Fatimeja  ia sjellte lumturinë  dhe shpresën e vazhdimësisë së  punës së të tij të shenjët  Islame. Por Fatimja ishte edhe  shtrëngim i shpirtit të Pejgamberit s.a.a. kur i kujtonte  vuajtjet e saja  që do të i ndodhin në jetën pas kalimit të tij  në botën tjetër.
Jeta e Fatimes ishte legjend mbi legjendat, roman mbi të gjitha romanet  e vërteta, elegji mbi të gjitha elegjitë, shenjtëri mbi të gjitha shenjtërit, mesazh mbi të gjitha mesahet.

FATIME ZEHRA S.A. DHE FEMRA SOT

Ishte një femër e  madhe e quajtur Fatimetuz Zehra  s.a. që gjërat i shikonte me një diapazon të gjerë dhe depërtues për çdo sferë të shoqërisë. Përveç femrave dhe njerëzve të saj  ajo iu drejta mbar njerëzimit, njerëzve të shtypur anë e mbanë botës duke shpërndarë  mesazhin e ideologjisë së Shenjët Kuranore. Ajo ishte “eksplozion i dritës”  e babi i saj ishte “njeri i cili Islamin e  zbriti nga yjet në tokë”,  gjithashtu simbol i egzistencës së saj, ishte “çlirimi i gruas si dhe avancimi i statutit të saj në shoqëri”.
            Vlerat dhe imazhin shembullor,  femrës ia ka dhurua Allahu  xh.sh.  në mënyrë që ajo të jetë simbol dhe pjesë e shëmbëlltyrës së femrës  dinjitoze me të gjitha të drejtat e saja femërore duke pasur për shembull të saj  hz. Fatimetuz- Zehran  s.a.  Fatimja ishte e shkëlqyer sepse ishte e  përkrahur nga meshkujt më të mirë të botës me babain e saj të përkryer  Pejgamberin  Muhamed s.a.a. dhe burrin e saj të lartësuar me virtyte,  Imam Aliun a.s.
Shoqëria e cila mendon për pozitën e vërtet të gruas, qëndrimin e bukur të saj, çiltërsinë e saj, pozitën e ndritur që ia ka dhuruar  Krijuesi, duhet ta ketë bazë dhe model personalitetin e Hz. Fatimes s.a. që është dhuruar për gjithë femrat  si shëmbëlltyra e vetme dhe e pashmangshme.
Morali i Hz.Fatimes është tërësia e parimeve, e normave edhe e rregullave që janë shpallur në Kur’an. Sjellja e saj lidhet me nderin, sjelljen e ndershme, me tërësinë e forcave të brendshme që e shtynin  të veprojë, të qëndrojë dhe të plotësojë çdo detyrë kur’anore. Morali i saj rrjedh nga fetrati  i Pejgamberit dhe prehri  i nënës Hatixhes.
Hazreti Fatimja  s.a. ishte mësuesja e etikës, që ia mësoi njerëzimit e sidomos femrës, parimet, normat dhe rregullat e sjelljes së njerëzve në shoqëri. Ajo merrej me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çka është hallall, çka është haram, si mundemi ne të bëjmë dallimet mes tyre, a është e mira dhe e keqja e njëjtë për të gjithë. Hz. Fatimja (a.s.)  në jetën e saj të shkurtër tokësore, etikën islame kur’anore, jo vetëm që e ka njohur në hollësi, por ajo e ka zbatuar me devotshmëri.
             Hazreti Fatimja s.a.ishte psikologja më e famshme, ajo ia mësoi njerëzve se ndërgjegjja është forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv si veçori e veprimtarisë së trurit të njeriut, zemrës dhe shpirtit. Është aftësi njerëzore përvetsimi i diturisë, ndërkaq dituria Kuranore që ia mësonte njerëzimit Familja e Pejgamberit s.a., është dritë mbi çdo dritë, që zhvilloi ndjenjat, ngacmoi shpirtin dhe vetëdijësoi mendjet e njërzimit.
       Ndjenjën e ndërgjegjes çfarë na mësonte  hasreti Fatimeja s.a. nuk arrihen nga mendja, por nga zemra, andaj ajo punonte shumë për të zhvilluar ndërgjegjen që është një shkallë e veçantë e vetëdijes njerëzore, e cila është dhuratë nga Drita Hyjnore. Ndërgjegjja e Hz. Fatimes (a.s.) ishte e plotësuar andaj dinte njerëzve tua mësonte  sepse ajo për te kishte punuar sipas Kur’anit të madhëruar.
 Sikur mashkulli ashtu edhe femra kanë nevojë për sjelljen e lirë në suaza të normave Kuranore, andaj kultivimi i moralit është përbërsi  kryesor për formësimin e një shoqërie. Feja Islame nuk bënë  dallim në mes mashkullit dhe femrës, në bazë të doktrinës Islame njerëzit ndahen sipas shfaqjes nga ana e  vlerave morale të devotshmërisë, respektit, kualiteteve etike e shpirtërore. Në bazë të kësaj që cekëm, i lejohet edhe burrit edhe gruas ti kultivojë këto vlera të jashtëzakonshme  që do të ishin burim kryesor i një familje të lumtur.  Ditën e gjykimit do të gjykohen çdo njëri shpirt, në bazë të vlerave dhe virtyteve morale, pa marr parasysh gjininë.
Shembëlltyra dhe mësimet e Hazreti Fatimes na mësojnë se veprat e mira të besimtarëve janë begati edhe për mashkullin edhe për femrën ashtu siç na përkujton edhe Allahu në Kuranin Famëlartë. Femra bashkëkohore myslimane është në mesin e dy zjarreve  të mëdha. Asaj nuk i pëlqen tradita por edhe nuk i pëlqen konditat islame çfarë predikohen për fatë të keq nga persona jo përkatës, që rolin e femrës të krijuar nga vet ata, ia etiketojnë islamit.
-  Athua a kanë faj këto femra?
-Jo ato nuk kanë faj, por ka faj neglizhenca e tyre, mos intersimi i tyre që ta studioj statusin që ia ka dhënë Zoti e jo robi. Këtë zbrazëti të mosnjohjes së tyre e keqpërdorin   krijesat meshkuj,  qoftë ai  babai, vllau apo burri injorant dhe jobesimtarë.
-A është ajo fajtore?
-Jo jo, ajo nuk është fajtore, por është  fajtor guximi i saj sepse  ia kanë marrë. Ajo që moti është e mësuar që është krijuar nga brinja e Ademit. Ajo që moti është mësuar se është fajtore për daljen e mashkullit nga xheneti. Asaj që moti ia kanë fiksuar se është krijesë më e dobët se burri. Ajo që moti e ka të njohur se nuk vlen sa vlen burri. Ajo që moti e ka në kokë se duhet të jetë e dëgjueshme ndaj burrit.
 Unë të gjitha këtyre i them jo dhe atë JO me të madhe. Sepse nëna ime Hava nuk është e krijuar nga brinja e Ademit, por u krijua e ngjajshem me natyrën e Ademit, bile me gjini më të bukur se të Ademit. JO ajo nuk e nxori Ademin nga Xheneti por kështu Allahu deshi.  Jo, ajo nuk është  më pak me vlerë se sa mashkulli, bile vlerat e saj janë më të mëdha se sa të mashkullit, ajo është më e ngritur  ani se s’ka qen pejgambere, por mos harro se Isa a.s. ka pas Nënë dhe nënë ke edhe ti dhe shumë mirë e din sa vlen për ty. Jo, ajo nuk duhet gjithmonë të dëgjoj por edhe të dëgjohet. Ajo nuk duhet të luhas kokën për pohim  në çdo mendim  të babait, vëllait apo burrit,  por duhet të ketë durim e urtësi që gjinin mashkullore ta bëjë që  të luhas kokën për miratim dhe pohim. Merreni me mend po të e kishte luhatur kokën për pohim e ndershmja Asija r.a. para  burrit të saj pabesimtarë.
 Neve bijtë e  Hazreti Fatimes s.a. na ka mësuar, se nëse nuk e largon të keqen nga burri jot atëherë mos u habit se një ditë edhe ti do të gjendesh në të. Me këtë e kuptojmë se ne femrat jemi edukatoret e kombit edukatoret e njerëzisë andaj kemi vlera  dhe përgjegjësi shumë të mëdha. Ne kërkojmë nga meshkujt e ndershëm të na përkrahin, të na japin hapësirë për veprim dhe të duartroskasin për sukseset e femrave musliamane . Ndërsa meshkujt e pa ndërgjegjshëm ne do ti luftojmë qoftë edhe burrat tonë, do t’i luftojmë dhe kërkojmë që nëse nuk janë të gatshëm të na përkrahin, atëherë kërkojmë të drejtën tonë që mos të na pengojnë në punë të mira.  
Pikërisht për t’u ngritur në shkallët e larta të moralit shoqëror na duhet femra dhe prapë femra deri në ditë të kijametit. Femra me plotë kuptimin e fjalës, është e vetmja krijesë që ka një rol shumë madhështorë që ia ka falur Zoti, andaj nuk ia vlen të kursejmë vetën tonë e të mos punojmë për bijat tona dhe pasardhësit e njerëzimit. Rezultati  punës sonë është mashkulli, andaj unë them  se: “nuk ka mashkull të keq por ka femra të këqija” qoftë ajo nëna e  burrit tënd apo ti vet për fëmijën  tënd.
Të nderuar meshkuj, emri nënë është i shenjët, andaj edhe nëse ajo ka gabuar në edukimin tuaj,  mos e lejo këtë emër ta njollosësh me sjelljen e ligë ndaj gruas, familjes dhe shoqërisë. Fillo, merre një hap në jetë, e ke shembullin më të mirë Pejgamberin s.a.a. që ka qenë burrë i botës që kurrë në jetë nuk ka kërkuar nga gratë e tija që ta shërbejnë qoftë edhe me një gotë ujë. 
Ju motra të nderuara, keni një rol të shenjët në krijim, Nëse jeton në një kulm dhe  rreth jo të rregullt, mos iu dorëzo jetës, ti je ajo që duhet të ndryshosh rrethin ku jeton, ti je ajo që duhet të kesh forcë, ti duhet të jesh kampione e botës ashtu siç ka qenë vajza e Pejgamberit s.a.a Hazreti Fatimja s.a., edhe pse ajo ka pasur fatin e madh që  të ketë një babai si Muhamedi s.a.a., të ket një burr si Aliu a.s., që ka mundur shumë lehtë të krijoj një familje të mrekullueshme.
Mos u dëshpëro!  A dëshiron të jetosh bashkë me Hazreti Fatimen në Xhennet? A dëshiron që jeta në këtë botë të shëmbëllej me  mënyrën e të jetuarit të saj? Nuk është aspak vështirë. Ti duhet të jesh e lumtur që ndoshta jeton në një familje me një burrë jo të edukuar, por ti duhet të jesh fatlume, sepse durimi dhe urtësia jote do të shpërblehet, ti do të  shpëtosh  një njeri, ti ke edukuar një brez të tërë. Zoti e dinë pse ty të ka caktuar për atë bashkëshortë, sepse ti do të jesh kampione. Kampioni duhet të ushtroj me ditë të tëra për të arrit në atë pozitë, normal ka vështirësi, ka thyerje këmbësh , duarsh  e tjera, por qëllimin e ka të bëhet kampion, në momentin kur bëhet kampion vinë të gjitha shpërblimet, dhe për një reklamë të vetme merr famë dhe miliona para. Ti mos  dysho  në shpërblimin e Allahut të Lartësuar.

مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
 “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”
Zakonisht çdo punimi i jepet një përfundim, por nuk mund të kem kompetenca të tilla të jap një përfundim këtij punimi, sepse Hazreti Fatimja s.a. është një oqean i pa fund dhe kurrë nuk përfundon. Sidoqoftë, ia vlen që për këtë Femrës të Madhe në vend të përfundimit do të jap një dëshmi me emrat e saj të njohur, e pastaj çdo njëra nga ne  emrat e saj emrat e saj ti përvetësojmë për të mirat tona njerëzore.


Pra Hazreti Fatime Zehra s.a. me emrat e saj dëshmohet dhe kuptohet.

  Hz. Fatimja është: Sayyidah kulli nisā i’l Jannah, Prinjëse e të gjitha   grave në Xhennet.
   Hz. Hatimja është: Ez-Zehra: E shëndritshmja, dritë shkëlqyese.
   Hz.Fatimja është: Batul: e pastër, virgjëreshë.
   Hz.Fatimja është: Ma’sumah: E pamëkate.   
   Hz. Fatimja është: Merhuma; E mbështjellur me Mëshirë t’Allahut.
   Hz. Fatimja ësht: Raki’ah: E përulura ndaj Allahut.
   Hz.Fatimja është: Saxhidah: Ajo që gjente kënaqësi në  sexhde ndaj Allahut.
   Hz.Fatimeja është Saimah: Ajo që agjëronte për Allahun..
   Hz.Fatimja është Sāniyah: Virtuoze ndaj Allahut.   
   Hz.Fatimja është: Abidah: Adhuruese e Allahut
   Hz.Fatimja është: Velajjah: Shenjtore e Allahut
   Hz.Fatimja është: Vafijje: Përplotë besim ndaj Allahut
   Hz.Fatimja është: Zekijje: E pastër, para Allahut
   Hz.Fatimja është: Radijjah: E kënaqur me Allahun
   Hz.Fatimja është: Alijje: E lartësuar tek Allahu
   Hz.Fatimja është: Safijjeh: E zgjedhur prej Allahut...

Allahum-me sal-li ala Muhemed ve alihi Muhamed.
 

Autore: H.Ikballe Berisha Huduti
Maj 2010 Prishtinë

Literatura dhe burimet kryesore:

     1. KURANI i madhërishëm
    Përktheu kuptimin e tij nga gjuha arabe: Prof.Dr. Feti Mehdiu
    Prishtinë 1998

      2.Murteza Mutahari  “Të drejtat e gruas në islam”  Prishtinë 2003

      3.Armstrong, Karen. "A Short History of Myth".
         Knopf, Canada, 2006.

      4.Albert Einstein:  His Life and Universe by Walter Isaacson,
      New York, 1984

      5. Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re,
 Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Drita, Ferizaj, 1994.
                                                                                                     
      6. Çaushi, Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998

Sunday, April 22, 2012








FEMRA  DHE FEJA ISLAME

                   Gjithmonë  gratë kanë qenë ato që është dashur të luftojnë për të drejtat e tyre. Vetëm në shek. XX ato arritën t’i realizojnë disa të drejta në disa vende të botës por  jo në të gjitha fushat e jetës. Shumë grave i parashtrohet  mejdani për arritjen e barazisë, i cili mejdan duket i pafund.
 Në kohët e lashta, ishte zakon që në altarët e perandorive të ndryshme të sakrifikohen virgjëresha. Në mesjetë, shumë gra u dogjën ne zjarr duke i akuzuar se ishin shtriga të liga që sillnin mbrapshti. Edhe sot situata nuk është më mirë. Në SHBA, e cila e konsideron veten ideal i demokracisë, gratë dhe  burrat që e bëjnë të njëjtën punë nuk paguhen në mënyrë të barabartë, për çdo dollar që burrat fitojnë,  gratë fitojnë vetëm gjashtëdhjetë e tre cent. Në Arabinë Saudite, gratë e kanë të ndaluar ta ngasin makinën, madje e kanë të ndaluar edhe të kryejnë  lutjet ne xhami. Në shumicën e  vendeve  të Evropës, gruaja vetëm para  njëqind viteve e fitoi të drejtën për trashëgimi në pronë: në Angli 1882 (The Married Women’s Property Act), në Gjermani në vitin 1900, në Suedi në vitin 1907, dhe në Itali deri në  vitin 1919.  Në shumë vende afrikane dhe aziatike, pavarësisht nëse ato janë të krishtera, muslimane apo të komunitetit pagan, grave i gjymtohen organet gjenitale, në mënyrë që të respektohet  me porosi të "rrethprerjes" (CIRCUMCISION- synetia ) që është një parim shumë me i lashtë se  Dhiata e Vjetër e  përcaktuar vetëm për gjininë mashkullore. Ekziston një fjalë e urtë aziatike e cila thotë se "rritja e vajzave është si ujitja e bimës në oborrin e komshiut”, apo siç është tek shqiptarët  se “ vajza është e derës huaj”, që aludon  për kotësinë  rritjes së fëmijës femër  e cila shpejt rritet dhe duhet të largohet nga shtëpia e prindërve,  ndërsa meshkujt gjithmonë kujdesen  për prindërit dhe janë trashëgimtar të tyre .  Edhe sot në trojet shqiptare prindit mashkull i vjen turp nëse i lind foshnja femër dhe nëna ndihet e pavlerë në atë shtëpi. Në Kinë, deri vonë është praktikuar që në fëmijëri lidhja e këmbëve  të vajzave, kjo është bërë për të ndalur rritjen e tyre si dhe dukja e tyre të jetë më “femërore”. Rritja e këmbës nuk mund të ndalet por bëhet një lloj deformimi,  ndërsa të ecurit  japin dhimbje të ndryshme. Pra, me lidhjen e shputave të këmbës arrihen dy gjëra: gruaja lidhet për shtëpi dhe nuk merr pjesë në jetën publike, gjithashtu, gjersa një vajzë rritet me muskuj të shtrënguar, për të është shumë më e vështirë marrëdhënia seksuale që i sjell dhimbje, ndërsa mashkullit i jep më shumë kënaqësi.



PJESMARRJA E FEMRËS NE SHOQËRI


 Kohëve të fundit flitet shumë për pozitën e femrës në islam dhe vihet në dukje se si feja po penguaka dhe nuk po i lejuaka ato që të afirmohen si personalitete në planin privat dhe shoqëror. Përmendet mbulesa islame për të cilën kinse burrat e tyre i detyrojnë, rrethprerja (synetimi)  barbare në disa fis në Afrikë,  ndalimi i edukimit të grave në Afganistan e tjera. Përshkruhen shumë emigrant myslimanë, që shkojnë për të punuar ne vendet evropiane dhe ruajnë plotësisht identitetin e tyre kulturor dhe si i mbeten besnik fesë së tyre. Femrat e reja kur vinë në Evropë ato nuk punojnë, dhe të moshuarve nuk i lejohet të mësojnë  gjuhën e vendit  ku ata jetojnë dhe në këtë mënyrë bëhen të  izoluara. Ndonjëherë në rrugë mund të vërehet si  shembull i keq, sjelljet e një mashkulli mysliman ndaj gruas së tij, se si nuk flasin me njeri tjetrin gjatë të ecurit, pastaj se si gratë ecin mbrapa burrave e tjera. Të huajt duke e pas në dijeni se këta persona janë mysliman, ata  mendojnë se  këto ndodhi janë nga feja islame, por ne realitet disa parime e qëndrime që i veprojnë myslimanët ato nuk janë  nga feja por nga tradita apo fanatizmi i tyre tradicional.
 Arabët paganë para ardhjes së fesë islame gratë i trajtonin në mënyrë shumë brutale. Foshnjën femër e varrosnin për së gjalli, gratë nuk kanë pasur të drejtë në pronësi dhe i kanë vlerësuar si një mall tregu. Në fillim të shekullit të shtatë pas Krishtit, shpallja e Kur’anit i hoqi të gjitha praktikat  dhe veset barbare, por për fat të keq nuk iu nënshtruan të gjithë  njerëzit këtyre ligjeve Kur’anore. Disa ende vazhdojnë të mundojnë gjininë më të brishtë e më të dobët,  kështu që këto barbarizma me një model me liberal po vazhdojnë edhe sot në këtë periudhë  të shekullit XXI .
Çdo person i cili ka udhëtuar në botën islame, kanë vërejtur se në xhamitë dhe shkollat ​​fetare, promovojnë ndarjen e femrave dhe meshkujve,  pasi që kjo praktikë e ndarjes së dy gjinive, gati është e pamundshme,  prandaj jepen teza të ndryshme se si   feja islami parashikon që një grua  e mirë dhe besnike duhet të kujdeset për reputacionin e saj, prandaj duhet të qëndrojë në shtëpi dhe kështu nuk do të jetë e nxitur të bëjë ndonjë mëkat me ndonjë mashkull tjetër. Përveç kësaj, përmendet dhe thuhet se  "zëri i femrës numërohet si një gjë i turpshëm” dhe  këtë ia atribuojnë Muahmedit s.a.a. Në këto vende islame shumica e femrave myslimane që mbajn mbulesën islame –hixhabin, janë të  ndara nga jeta publike dhe e shpenzojnë jetën e tyre midis katër mureve lidhur me shporetin dhe lindjen e shumë fëmijëve. Ndërsa gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe  që nuk e mbajnë mbulesën islame, konsiderohen si gratë e shthurura.

Mendimet e dijetarëve për te drejtat e femrave

Egjiptiani, Muhammed Kutb, vëllai i Said Kutbit të njohur, në librin e tij "Dilemat e Islamit" shkruan: "Në periudhën e parë, puna e gruas jashtë shtëpisë ka qen e arsyeshme. Islami nuk i ka  ndaluar gratë që të dalin nga  shtëpia për tu angazhuar në profesione të ndryshme sipas prirjeve dhe aftësive që posedonin, siç janë: edukatore, mësuese, dado, infermiere, mjeke për sëmundjet femërore pra gjinekologe, e tjera. Kontributi i saj me këto profesione ka pasur edhe qëllim për të ndihmuar në sigurimin e mjeteve jetësore, sepse ka pasur edhe prej atyre femrave që kanë qenë të detyruara të fitojnë për jetesë, për arsye se kanë qenë gra veja, apo kanë pasur burrin e sëmur, apo burrat i kanë pasur në luftëra të ndryshme, apo për shkaqe tjera të arsyeshme. Nëse femra nuk ka qenë vetushqyese e familjes dhe ka pasur gjendje të mirë financiare, ajo ka qen e lirë të dal të shëtis, të shkojë në vizitë të afërmve, apo të punoj jashtë shtëpisë nëse ka pasur dëshirë. Megjithatë, duhet ta kemi parasysh se feja islame i ka ndaluar femrës që  të dalë nga shtëpia pa ndonjë nevojë të arsyeshme për t’i nxitur dhe provokuar xhinin e kundërt siç është bërë  traditë në botën moderne.
Feja islame nuk e pamundëson që gratë të marrin  pjesë në ngjarjet shoqërore, por vlera e saj e vërtetë vjen në  dukje vetëm në shtëpi dhe familje, ku ajo do të ketë mundësi të trajtoj shumë probleme psikologjike, sociale dhe morale brenda familjes, e pastaj nëse ajo ka aftësi dhe prirje mund të shërbej edhe jashtë familjes.
 Disa njerëz pretendojnë se puna e femrës jashtë shtëpisë mundëson rritjen e të ardhurave në familje, sepse shpesh herë paga e një anëtari të familjes nuk është e mjaftueshme. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nëse të gjitha gratë punojnë  jashtë shtëpisë jeta e fëmijëve do të jetë e gjymtë, që mund të rezultojë në rënie morale të familjes. Atëherë a mund të jetë kjo një justifikim nëse një familje gjymtohet, e nga na tjetër gjendja ekonomike, financiare përmirësohet me punën e gruas në shoqëri. Çfarë çmimi do të jepej kësaj pune?
 Muhamed Kutbi kishte të drejtë për dy gjëra: e para është se gruaja është  edukatore e njerëzimit, dhe e dyta është se feja islame në fillim kishte lejuar femrës të  jetë një anëtare aktive e shoqërisë. Por,  me vonë ai nuk ka të drejt kur thotë, se femra gjithmonë duhet  të qëndrojë në shtëpi, në mënyrë që edukimi i fëmijëve të saj do të jetë i garantuar. Domethënë, në qoftë se një grua arrin të plotësoj detyrimet e saja personale dhe profesionale, nuk ka asnjë arsye që ajo të punësohet  jashtë shtëpisë. Gjithashtu është gabim të thuhet se feja islame në periudhën e parë të predikimit, femrës i ka lejuar të dal jashtë shtëpisë, por në rrethanat e tanishme nuk është e pranueshme. Kurani është shpallur para njëzet e tri viteve, me të cilin është plotësuar i tërë ligji islamik, dhe redaktuarat e mëvonshme  në të shumtën e rasteve nuk janë të nevojshme. Në qoftë se feja islame në periudhën e parë ka lejuar pjesëmarrjen aktive të femrës në shoqëri, nuk ka arsye që sot të mos jetë e lejuar. 
Kutb beson dhe sugjeron se gratë nuk duhet të ekspozohen në shoqërinë e meshkujve, por nuk e kam të qartë si mundet një femër të ekspozohet dhe të jetë e dëmshme për shoqëri  nëse ajo është e mbuluar me një mbulesë islame-hixhab , dhe në qoftë se shihet vetëm fytyra e saj e pa ondulua, pa kozmetik dhe duart e saja pa stoli, që bukurit i ruan vetëm për burrin e saj?  Nëse do ti  përjashtojmë gratë nga shoqëria dhe i mbyllim ato në  kuzhinë, i kemi mbyllur më shumë se gjysmën e popullsisë botërore. Kjo natyrisht të çon në jo-produktivitetit, varfërim dhe stagnim  të shoqërisë.
Pikërisht këto gjëra kanë ndodhur ne ish- kalifatet e myslimanëve, që ne mund të i fajësojmë udhëheqësit religjioz të cilët me të padrejtë i kanë mbyllur femrat në burgjet  shtëpiake, apo nëpër pallate duke i joshur ato me stoli dhe pasuri të mëdha, e duke mos i angazhuar pas emancipimit dhe prirjeve kreative.
 Sjelljen e talebanëve afganë të cilët nuk lejojnë gratë të vijojnë shkollimin, me të vërtetë është një krim kundër njerëzimit dhe kundër Islamit, që asnjëherë nuk ka mbështetur idenë se gratë nuk duhet të kenë qasje në shkencë dituri dhe shoqëri, si dhe kjo është gjithashtu kundër urdhrit të Pejgamberit s.a.a. i cili thot se:  "kërkimi i diturisë është i  detyrueshëm për çdo musliman dhe muslimane.” Në fakt, kjo është një  shkelje e urdhrit të parë të Allahut, është fjala e parë e  Kur'anit e cila u shpall “ Lexo në emër të Zotit tënd! " 
             Disa myslimanë besojnë që zëri i gruas është ‘avra, apo numërohet si një prej organeve të turpshme të njeriut,  ata e komentojnë thënien e tyre duke thënë se kështu paska thënë pejgamberi Muhammed s.a.a. Në fakt, ata gjithashtu interpretojnë se grua duhet të mbulojë tërë trupin përveç fytyrës dhe dy duarve, në këtë mënyrë vërehet haptas se feja islame nuk e ndalon një bisedë mes burrave dhe grave që nuk janë në marrëdhënie fisnore.  Për shembull, një sure nga Kur'ani, i quajtur Muxhadile (d.m.th., ajo që diskuton), e përshkruan një grua që ishte e pakënaqur me sjelljen e burrit të saj dhe shkoi në xhami për të diskutuar me  Pejgamberin s.a.a. Ai, Pejgamberi as nuk e ka larguar, as nuk i ka thënë se nuk guxon të flas me meshkuj por e ka këshilluar në mënyrë më njerëzore lidhur me problemin e saj. Përveç kësaj,  dijetari i njohur Sejjid Muhammed Husein muxhtehid Fadlullah, një nga autoritetet më të mëdhenjë në Liban tha se zëri i femrës nuk është vend ose pjesë private e turpshme.  



FEMRA NË KUR’AN DHE HADITHE

             Duhet të theksohet se në Kur'an askund nuk urdhëron se jeta e femrës duhet të kufizohet për burrin dhe fëmijët. Sigurisht, roli i nënës është detyra e saj primare, por në qoftë se një grua do të jetë  e punësuar apo e angazhuar në mësimdhënie dhe shkencë, por nga ana tjetër ajo është e zonja që të i menaxhoj punët e shtëpisë me punën e saj private, ( qoftë duke e angazhuar një ndihmëse të shtëpisë), atëherë këtë rast  nuk ka arsye pse të mos jetë e kyçur në jetën kolektive sociale duke qenë në shërbim të aftësive të saj profesionale për të mirën e familjes dhe shoqërisë. Në fakt, mua më duhet të përmendet se nuk ka asnjë ajet Kur'anor, as ndonjë thënie e pejgamberit  Muhamed s.a.a, që gruaja është e detyruar të ziej e gatuaj, gruaja nuk është e obliguar të i ushqej fëmijut  me qumështin e saj nëse nuk ka dëshirë, pos kësaj gruaja nëse kërkon nga burri që t’ia paguaj gjidhënjen, ai është i obliguar ta kryej këtë kërkesë. Të gjitha  këto punë gruaja i bënë nga vullneti i saj i lirë.  Feja islame gruan e obligon që burrin e saj mos ta largoj nga dysheku, pra të mos refuzoj në marrëdhënie seksuale, për arsye që mos të përhapet zinaja apo amoraliteti në shoqëri, gjithashtu femra është obligative që ta ruaj  pasurinë e burrit si dhe të mos  pranoj në shtëpi njerëz të huaj gjersa nuk është prezent burri i saj.
Sa i përket daljes së femrës nga shtëpia, të cilën dalje disa e numërojnë si provokim për punë amorale, kjo nuk mund të jetë e këtillë, sepse burrat janë më shumë të prirë për amoralitet se sa grat, kur themi gratë kjo nënkupton më shumë për gratë të cilat i respektojnë rregullat dhe parimet  islame, sepse është  vërtetuar se gratë janë më të kujdesshme për ta kontrolluar pasionin e tyre epshor. Përveç kësaj, në qoftë se femrat ndahen nga meshkujt deri në atë masë që marrëdhëniet e tyre sociale të ndërpriten  tërësisht, mund të ketë pasoja të padëshiruara. Një mashkull i cili nuk fletë në asnjë moment me një grua tjetër, siç është në shumë vende të Arabisë Saudite, do të shohin gruan si fruta e ndaluar, që duhet një ditë gjithsesi të vjelët. Pra, aq shumë do të aludojë e ëndërroj për ta ndier apo për ta parë qenien femër,- e në mënyrë të pashmangshme ai do ta shoh dhe dëgjoj zërin e saj, në rrugë apo në treg,-ai do të përjetojë një shok, një pasion të lartë të pakontrolluar. Transmetohet  se një rast një dijetar i madh islam, kishte parë këmbën e zbathur të një gruaje që kishte ecur nëpër rrugë dhe si rezultat i kësaj  ai nuk kishte mundur të shkruaj dhe  ligjëroj një muaj të tërë.
 Sipas gjithë kësaj që u tha më lartë, pyes veten, - A nuk është më e natyrshme për gratë që të jenë gjithmonë të pranishme në jetën shoqërore, në mënyrë që ato të llogariten si qenie normale njerëzore, e jo sikur sprova të mundimshme dhe të rrezikshme ose si shigjeta të shejtanit për ta luhatur devotshmërinë e krijesës mashkull?

            ÇKA MENDON BOTA FEMINISTE? 


Gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë, por jo në mënyrën se si e përcaktojnë feministët e sotme. Domethënë, ato besojnë se gratë duhet të kryejnë të njëjtat pune dhe të kenë të njëjtat pozita  pune  si meshkujt, qoftë edhe nëse femrave nuk u pëlqen. Ato bëjnë protesta të ndryshme për arsye se një grua është e përjashtuar nga puna, duke e fajësuar meshkujt për pabarazi gjinore, madje besojnë se Zoti nuk duhet të jetë i gjinisë mashkullore, të menduarit sipas logjikës së shëndosh, Perëndia, në fakt, nuk është as mashkull as femër - Ai nuk ka gjini, Zoti  nuk është si ne dhe nuk mund të krahasohen me njerëz dhe të peshohet me kriteret e njeriut.
 Feja islame konsideron se gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë, por nuk përpiqet të na bind se ata janë të krijuar si të barabartë. Ata janë cilësisht të ndryshëm. Në fakt, gratë mund të lindin fëmijë dhe t’i japin qumështin nga gjiri i saj, ndërsa një burrë nuk mundet. Njeriu është fizikisht më i fortë se femrat, por femrat  fiziologjikisht  janë më të forta se meshkujt, sepse mund ta përballojnë një shkallë më të lartë të dhimbjes. Për shkak të konstruktit të tij mendor, mashkulli nuk do të ishte në gjendje të përballoj problemet që sjell cikli mujor, ndërsa dhimbjet e lindjes as që do të mundte t’i paramendonte.
 Një shkrimtarë arab  Amin Maalouf  ka thënë se -“femrat gjatë goditjes së problemeve jetësore lakohen apo përkulen, ndërsa meshkujt thyhen dhe shkatërrohen. Për të gjitha këto arsye, gratë dhe burrat e kanë një rolë  të ndryshëm në shoqëri, sepse gratë nuk mund të përvetësojnë apo të gjinden në botën e mashkullit,  ndërsa një burrë e ka shumë vështirë të hyjë në botën e femrës.  Prandaj feja islame në shumë raste ka predikuar ligje të ndryshme për meshkujt dhe për femrat, sepse shkoi nga ajo se mashkulli dhe femra nga natyra janë të ndryshëm dhe ndiejnë kënaqësinë natyrore të këtyre diversiteteve në gjini.

PSE GRATË NUK JANË PEJGAMBERE

Asnjë grua në realitet nuk ka qenë pejgambere, e dërguar  e Zotit – në këtë pozitë kanë qenë vetëm meshkuj. Kjo nuk do të thotë se femra është e privuar, por kjo vetëm tregon se femra është e ndryshme nga mashkulli dhe se roli i saj në shoqëri është në përputhje me aftësitë  dhe mundësitë e saja gjinore.
  Është e vërtetë se feja islame nuk lejon që gratë t’i  kryejnë të gjitha llojet e bizneseve apo punëve. Për shembull, një grua nuk mund të jetë  imam (prijëse) në namaz dhe të udhëheq lutjet.  Arsyet janë shumë praktike dhe logjike. Femra çdo muaj ka ciklin menstrual, pas lindjes së fëmijë ajo është lehonë dhe ka gjakderdhje që tek disa femra zgjatë deri në dyzet ditë, kjo gjendje e saj numërohet si e sëmur dhe e papastër, andaj ajo nuk mund të fal namazin dhe nuk mund të agjërojë. Duhet të ceket gjithashtu se femra ka një zë tingëllues si dhe të bukur  provokues, mund t’ia tërheq vëmendjen meshkujve dhe t’i dekoncentrojë nga meditimi  për  Allahun e Lartësuar. 
            Nuk është e thënë nëse gruaja nuk mund të jetë prijëse në namaz, e pastaj të mos jetë aktive ne jetën publike. Gratë mund të studiojnë fenë, shkruajnë libra dhe mbajnë ligjërata në lidhje me fenë. Është e njohur se Fatime Zehra (paqja e Allahut qoftë mbi të) pra  bija e Pejgamberit s.a.a ka mbajtur edhe fjalime politike. Në Tunizi, Siri dhe Irak, gratë janë të vendosura në vendet kyçe ne gjykatë,  ndërsa në Iran, shumë gra janë përcaktuar si gjykatëse në sektorin e mosmarrëveshjeve familjare. Republika Islamike e Iranit është i vetmi vend ku ligji Islam është i respektueshëm dhe i aplikueshëm dhe mbi 30% të grave janë të ulura në parlamentin e këtij shteti islam,  gjithashtu një grua është emëruar në postin  nënkryetares. Sigurisht, këto femra janë të veshura si duhet, flokët dhe i gjithë trupi i tyre janë të mbuluara sipas parimeve islame, kështu që tek këto femra nuk ka pengesa për kryerjen e përgjegjësive, biznesit dhe karrierës së tyre.

MBURRJA PËR TË KALUAREN


Muslimanët e sotëm mburren me atë se feja islame i ka nxjerrë femrat nga kthetrat e barbarizmit dhe i ka dhënë rol më të lartë në krijim. Gjithashtu myslimanët lëvdohen se gratë myslimane janë me të vlerësuara ne krahasim me gratë moderne të cilat vërtet janë si një objekt për reklamimin e bizneseve të ndryshme. Gjithashtu myslimanët cekin se si për daljen nga  xhenet nuk ka gabuar hazreti Hava por ka gabuar edhe Ademi s.a. së bashku me një kohë. Kështu që me këto fjalë mburrësie mbahen me vite të tëra pa menduar se ata që mburren e shëmtojnë të kaluarën me të tashmen  e reales së hidhur.
       Në teori, bota shikohet përmes syzeve me xhama të trëndafilta, ndërsa në praktik kjo teori plotësisht injorohet. Në fakt, bota muslimane shpesh ka tendencë për të jetuar mbi dafinat e lavdisë së vjetër, duke i përkujtuar të arriturat e filozofëve të mëdhenj, edukatorëve, shpikësve, shkencëtarëve arab që shpikën algjebrën, kimin, matematikën, alkiminë dhe shumë të arritura mjekësore dhe shkencore astronomike. Lëvdohen me shtetin e tyre islamik, i cili në atë kohë  ishte i  njohur në gjithë botën. Përkujtohet pasuria e madhe e Abbasidëve  kur nuk ka pasur asnjë të varfër dhe
s’ka pasur kujt t’i jepet zekati (lëmosha) - por askush nuk bën asgjë për të ndryshuar gjendjen e tashme, stagnimin total moralizues të botës islame dhe myslimane në përgjithësi. 

Pse myslimanët e sotëm janë shumë larg nga e kaluara ideale?


Një grusht i beduinëve i kanë rrëzuar perandoritë bizantine dhe persiane, e kjo ka ndodhur vetëm disa vite pas vdekjes së Pejgamberit s.a.a, ndërsa për 70 vite kanë arritur në përhapjen e kulturës islame deri në Spanjë dhe në jug të Francës, në Portugali, më pas deri në Kinë dhe  Indi.  Pse pra myslimanët e sotëm janë larg këtyre arritjeve? Të gjitha këto arritje janë meritë e këtyre burrave që kanë pasur sjellje shumë të mira ndaj grave të tyre. Sepse ne kohët e hershme gratë kanë qenë shumë aktive në aktivitetet e shoqërisë së hershme. Kanë qenë mjeke, infermiere, kanë shkuar nëpër fushë beteja, që të i lidhin plagët e luftëtarëve. Shembulli më konkret është vajza e Pejgamberit s.a.a Fatime Zehra (paqa e Allahut qoftë mbi të) – nuk na duhet shembulli më i mirë se kjo – personalisht ka lidhur plagët e babait dhe burrit të saj Imam Aliut  ( paqja e Allahut qoftë mbi të). Domethënë nëse këto ndodhi kanë qenë të lejuara në kohën e Pejgamberit s.a.a, ne nuk duhet as të përmendim absurditetet që po ndodhin sot nëpër botën islame, shembull konkret se femrave i ndalohet të marrin pjesë ne namazet e përbashkëta me meshkujt, dhe kjo është një pasim i shtrembëruar i fesë islame, e mos të përmendim p.sh. Tunizinë ku feja islame ka mbetur vetëm si traditë.  A nuk vërehet kjo edhe tek ne në trojet shqiptare, se jemi të ndikuar nga islami radikal, fundamental, ekstrem, qe nuk ka të bëje aspak me islamin e vërtet të pejgamberit Muhamedit s.a.a., por për fat të keq naivitetin dhe fanatizmin e tyre tradicional ia etiketojnë islamit, me të cilin arrijnë që fenë islame ta bëjnë të neveritshme dhe gërditshme me formalitetet dhe pamjen e jashtme të tyre, e sa i përket mbendisë së saj, është shumë larg nga islami i vërtet. Këtë mund ta kuptojnë vetëm ata që mendojnë dhe që nuk kanë paragjykime naive, por vërtetohen duke studiuar për disa  ligjerata dhe diskutime që nuk i flejnë kollaj në zemër.
Koleksionisti apo tubuesi i  haditheve  të Pejgamberit s.a.a., Ibn Maxhe në Sunenin e tij citon këtë thënje: " Thuani bijave dhe grave tuaja që të marrin pjesë në ceremonit  e festës së Bajramit dhe të ndjekin ligjëratat përkatëse.” Shumë mirë po dihet se myslimanet e dikurshme, shkonin ne xhami dhe merrnin pjesë ne aktivitetet  shoqërore, ndërsa praktika e sotme që të ndahen femrat nga bashkësit fetare dhe mos dhënia e hapësirës për veprim të motrave  muslimane me shkollim të lartë universitar, krijon një padrejtësi, e më pas ato ndien inferiore dhe të pavlera. Krahas kësaj gjendje të tyre, vëllezërit, baballarët dhe burrat e tyre në vend se të luftojnë dhe të i përkrahin motrat e nënat dhe gratë e tyre,  duke i avancuar e duke i dhënë vende pune të moralshme, ata arsyetohen shumë lehtë dhe pa pik ndërgjegje, se femrat myslimane nuk kanë kushte për të punuar ne vende publike. Çka është më e keqja se shumë vëllezër besimtarë arsyetohen pa pik logjike, se mbasi femra nuk ka kushte për të vepruar në shoqëri,  atëherë për të mjafton që të bëjë sa më shumë fëmijë dhe të merret me edukimin e tyre.
Më lejoni të ju pyes juve të nderuar “besimtarë”, - a mjafton që gruaja juaj të i mësoj fëmijët me aq njohuri dhe metoda puna që ajo ka?  Apo themi se një grua ka njohuri më të gjëra për t’i  mësuar fëmijët e saj, ndërkohë kur fëmiu  saj shkon në shkollë e ka para sysh një mësimdhënëse të pispillosur, me rroba të ngjitura për trupi, me minifundin shumë tërheqës, me edukatë të shthurur. Kjo mësimdhënëse pra,   ta mëson e edukon fëmiun tëndë të paformuar.  A s’do të ishte më mirë që një mësimdhënëse e edukuar në frymën  islame që ka një dukje shumë normale dhe një dije të bazuar ne emër të Allahut, të jetë mësuese e fëmijëve të saj dhe fëmijëve të shoqërisë dhe rrethit ku jeton, e të mos rrijë e izoluar në shtëpi?
  Problem tjetër i shkaktuar në shoqëri,  për shkak  të  mos aktivizimit  të besimtareve në shoqërinë civile,  është   përplasja e ndjenjave dhe hormoneve në pubertet,  për të cilin problem psikik është figura e mësimdhënëses që me pamjen e saj provokuese shkakton probleme mendore tek nxënësit e saj adoleshent.
Kemi respekt ndaj nënave që janë intelektuale dhe janë në kurthat e fanatizmit dhe naiviteti fetar, prandaj apelojmë që të marrin hapa në ndryshimin e shoqërisë sepse do të jemi përgjegjëse, se sa kemi kontribuar për fëmijët, bashkëshortin dhe pastaj shoqërinë. Nga ana tjetër  është turp dhe mjerim për ato nëna që tërë ditën rrinë në shtëpi, tërë ditën shikojnë filma dhe seriale të njëpasnjëshme, falin ndonjë namaz sa për formalitet, nga ana  tjetër  e  vlerëson më shumë pastrimin dhe gatimin e gjellërave të shijshme  se sa të jap kohën dhe mundin e saj për emancipimit e fëmijë së vet.

ÇKA DUHET TË BËJMË?


Sugjeroj se nuk është e mjaftueshme që të përmendim vetëm  përfitimet e kamotshme që i solli feja  femrës myslimane përmes ligjeve islame. Ne duhet të zbulojmë dhe hulumtojnë çka i ofrojnë ligjet islame sot femrës  myslimane për një jetë më të mirë. Nuk dëshirojmë të bëjmë reforma në këto ligjet e kamotshme islame, sepse çdo gjë që është materiale ajo vjetrohet, ndërsa ligjet kur’anore kur nuk vjetrohen dhe mbesin të njëjta dhe të dobishme për çdo kohë. Ne nuk dëshirojmë të bëjmë reforma e risi, por dëshirojmë dhe punojmë për të larguar traditat çnjerëzore në shumë vende të botës, të cilat tradita, që ia etiketojnë fesë islame e mbajnë femrën myslimane të izoluar, të varur, të varfëruar, e në vende të ndryshme ka me miliona gra të  privuara nga shumë hallalle dhe të drejta që ia ka lejuar Zoti e që ato nuk kanë guxim ti kërkojnë e të mishërohen me dëshirën e Zotit.
Do të jepja një mesah të përzemërt me ndjenja të thyera për gjendjen e  motrave myslimane kudo që janë. -Vazhdoni  të jeni nëna, motra dhe bija të ndershme,  ruani pastërtinë morale, merreni kontrollin e jetës suaj në duart e juaja, merruni me atë punë për të ciën keni prirje talent dhe dashuri,  pa marrë parasysh që nuk është në pëlqim me prindërit apo bashkëshortët e juaj, por me rëndësi është që këto lëvizje reformuese e juaja të  jenë në pëlqim me Allahun.  Te jeni të sigurta se nëse Allahu është i kënaqur me një punë tuajën e të tjerët nuk ju kuptojnë, do të keni telashe në jetë, por prapë merrni hapa dhe sakrifikoni për fëmijët e juaj, mos u frikoni. Kur juve ju merret e drejta, më mirë është të bëhesh kurban për të drejtën dhe hakun tënd , sepse gjithsesi  tani më veç je kurban i padrejtësisë. Andaj kërkoje të drejtën tënde, merr hapa në jetë, ia vlen të bënë ndryshime në të mirë duke pasur kujdes që me veprat e tua të mos e hidhërosh Allahun. Nëse je duke vuajtur për padrejtësitë që të tjerët t’i bëjnë, atëherë ashtu se ashtu je duke vuajtur, prandaj mos e kurse veten që të vuash duke kërkuar të drejtën, Allahu është ndihmës i të drejtëve.”
 Ka ardhur koha ti qasemi Islamit në një mënyrë më të re, më të mirë dhe më origjinale.  Në  këtë kohë,  femra duhet të rifilloj rolin e saj të mirëfilltë që ajo meriton si një krijesë e dashur e Allahut të lartësuar.  Së fundi,  mashkulli mysliman do të jetë xheneti ynë, i cili arrin te bëhet banor i xhenetit duke respektuar edukatoren e njerëzimit, sepse Pejgamberi s.a.a. ka thënë  " Xheneti është nën këmbët e nënës." 





Ikballe Berisha Huduti Mars 2011