Libri " EJA SHPEJT" Autor :Ikbale Berisha Huduti
PARATHËNIE
Të nderuar lexues, sidomos ju dashamirës të poezisë!
Vepra që keni në dorë është libri i parë me poezi i shkruar nga znj. Ikbale
Berisha Huduti.
Ai është një libër poetik, me poezi të shkruara nga autorja ndër vite, por
për arsye të ndryshme nuk arriti dot të botohej deri më sot.
Titulli i kësaj përmbledhjeje poetike të saj u titullua “Eja shpejt”, duke
u marrë nga titulli i një prej poezive të autores, titulli i plotë i së cilës është
“Eja shpejt Imam Mehdi”.
Shumica e poezive nga 99 poezi të botuara në këtë përmbledhje poetike të
saj, që shpresojmë të pasojë me krijimtari të tjera poetike dhe letrare, janë
përgjithësisht të natyrës fetare-shpirtërore. Por, gjithashtu, nuk mungojnë as
poezitë me motive atdhetare, si p.sh. poezia “O moj Serbi”, me motive shoqërore
si p.sh. poezia “8 marsi” dhe “Lakmia”, me motive melankolike si p.sh. poezia
“Jetimi” etj..
Autorja në shumë prej poezive të saj shpreh dashurinë hyjnore, duke treguar
anën e besimit të saj dhe shumicës së bashkëkombësve të saj, Islamit. Me këtë,
ajo dëshiron që përmes poezisë të shprehë para lexuesit shqiptar se jeta në
këtë botë është e varur tërësisht nga Krijuesi ynë, Allahu i Madhëruar.
Dinamika e jetës e shpërfaqur në kohën në të cilën po jetojmë ka reflektuar
edhe në mënyrën e shprehjes letrare dhe të kodifikimit poetik të autores, të
cilën ajo e shpreh në poezinë “ Bota Makute”:
“Të jetosh i pasur nuk është pasuri
Të jetosh komod nuk është harmoni
Pasuri është që të mundesh të shikosh në sy
Një krijesë të Allahut që rri përballë me ty”
Prandaj jeta, bota shpirtërore dhe misioni human e shoqëror brenda poezive
nuk janë të lehta për t’u manifestuar e aq më pak për t’u organizuar dhe
jetësuar brenda një qenësie të trazuar. Bota poetike e Ikbales mbase ka qenë
një vend ku janë takuar të humburit brenda një individi: arti, dashuria
hyjnore, misioni fetar dhe atdhedashuria. Për pasojë edhe takimi i tyre i
ngjanë një takimi të përmalluarish me ç’rast rrëfenjat e tyre janë thënë herë
me nxitim e herë me vrullin e papërmbajtshëm të së bukurës, dashurisë dhe të së
mirës, prandaj edhe mangësia estetike e këtij takimi është pjesë e pandashme e
këtij kodi të ligjërimit poetik, i cili në momente kapërcen përtej konvencionit
dhe “gramatikës” poetike.
Te poezia “Misioni i paharruar” autorja sikur na sugjeron se edhe ajo
kishte skutën e saj ku strehohej dhe përmes meditimit sodiste botën që e
rrethonte dhe ku përpiqet të perceptojë një realitet më të pranueshëm për të
cilin duhen sakrifikuar energjitë:
“Mbas pak kohe vjen meleku
I drejtohet me këto fjalë:
“Lexo, mëso duke përmendur
Emrin e Zotit që të ka falë”
Ndërkaq te poezia “Hazreti Fatime” autorja synon të prekë majat e ndjesisë
së një nëne dhe bije të përkryer, ndjenja këto të shprehura sa në mënyrë
origjinale për nga origjina kuptimore, po aq edhe për nga perceptimi stilistik
dhe mesazhi që përçojnë përtej kohës:
“Populli thotë nënë e bijë
Janë mu si hark e dry
Por kësaj here babë e bijë
Allahu i bëri arkë e dry”
Dhembja për të dashurit është një manifestim tjetër i ndjesive më sublime
krahas dashurisë, bukurisë dhe mirësisë. Në poezinë “Unë jam dhimbja e tij, ai
është ilaçi im” autorja ka zgjedhur ngjarjen më tragjike për ta shprehur atë përmes
çasteve nëpër të cilat po kalonte Zejnebja, mbesa e profetit Muhamed ( paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij)
në logun e përgjakur të Qerbelasë, ku po vriteshin më të pafajshmit e
njerëzimit prej djallëzisë më kriminale:
“Ti e shijove dhembjen kur gjyshi na la
Ti e shijove hidhërimin e nënës Zehra
Ti e shikove kokën me gjak, të babait Murteza
Ti e mbështolle me qefin, trupin e Hasanit vëlla”
Nëpërmjet kësaj ajo na bën të kuptojmë se gjenealogjia e sakrificës për
liri e drejtësi patjetër do të ndeshet me gjenealogjinë e krimit dhe të kaosit.
Në këtë frymë janë edhe poezitë përmes të cilave poetesha Ikbale ka shprehur
gulçimet e një zëri të ndrydhur nën regjimin më të egër kolonialist të cilin
Kosova dhe shqiptarët e përjetuan përgjatë tërë shekullit njëzetë nën Serbi.
Nëse poetika dhe poezia janë virtyt dhe model shprehës që fisnikërohen nga
frymëzimi, modeli i vargut të përzgjedhur për ta shprehur atë mbase është fusha
ku Ikbales i mbetet të punojë më tepër në të ardhmen. Gjithashtu radhitja dhe
periodizimi tematik e stilistik në lëvrimin poetik të radhës pritet ta
tejkalojnë vrullin shprehës të librit të parë të botuar prej saj.
Në fund autores i urojmë suksese për këtë libër duke shpresuar që të pritet
sa më mirë nga lexuesi shqiptar.
FEHMI MALIQI