Analizë krahasimtare e veprës
Divani i Hafëzit
dhe
Divani lindoro – perëndimor i Gëtes
Autor: Ikballe Berisha Huduti
H Y R J E
Çdo periudhë, çdo drejtim letrar, posedon gjenitë dhe
autorët më të zgjedhur në zhanre të ndryshme të letërsisë. Influenca dhe
depërtimi i këtyre krijimeve vërehet nga dialogët midis shkrimtarit dhe
lexuesit, dialogë të cilët ndryshojnë kohë pas kohe si vepër e gjallë, ndërkaq
për fat të mirë teksti mbetet i njëjtë. Teksti mundëson që çdo gjeneratë,
varësisht nga edukimi, koha dhe vendi ku jeton, të formojë një perceptim të
ndryshëm konceptues, perceptim me të
cilin ballafaqohet lexuesi dhe teoricienët e letërsive të ndryshme. Prandaj disa prej këtyre teoricienëve dhe lexuesve japin mendimet dhe vlerësimet e tyre për dy
divanet e njohura të Hafëzit dhe Gëtes,
njëri në Perëndim e tjetri në Lindjen e lashtë.
Detyra dhe qëllimi ynë konkret në këtë punim diplome
është që nga dy vepra, të quajtura “Divani”
nga Hafëz Shirazi dhe “Divani lindoro - perëndimor”
nga John Wolfgang Goethe, të shpalosim disa afërsi shpirtërore
dhe poetike të dy shkrimtarëve të mëdhenj. Përmes analizës krahasimtare të dy divaneve të
njohura, ne do të mundohemi të arrijmë deri te një gjykim i drejtë dhe udhëzim nxitës në punën tonë
krahasimtare.
Veprat “Divani”
dhe “Divani lindoro - perëndimor” do
t’i shpalosim ashtu siç janë të njohur ndër shekuj, si dy përmbledhje të mahnitshme të kohës, e pastaj përmes vargjeve lirike të këtyre divaneve, sidomos përmbledhjes së Hafëzit që shpreh
inspirime erotike që në Lindje njihen si poezi mistike, ne do t’i zbërthejmë domethëniet e përbashkëta
si dhe mendimet e të tjerëve për këto dy
divane.
Ne do t’i
shqyrtojmë këto krijime memoriale, me ndikimet
e tyre të dukshme te krijuesit e tjerë letrarë, jo vetëm në nxitjen e shkëndijave ndriçuese,
por edhe të mesazheve të diturisë dhe
urtësisë. Duke gërshetuar mesazhet letrare të dy krijuesve të mëdhenj, siç janë
Hafëzi dhe Gëte, si dhe duke vlerësuar punën e shumë studiuesve të kësaj fushe
letrare, ne, gjeneratat e ardhshme, u jemi mirënjohës të gjithë studiuesve të
mëparshëm, të cilët na kanë sjell mjaft elemente të përbashkëta si në ideologji, sidomos
atë fetare, po ashtu edhe në
aspekte të tjera të jetës së përditshme.
Jeta e njerëzve të mëdhenj, sidomos e krijuesve letrarë, përmes
fjalës së shkruar e bën lexuesin më të
vullnetshëm dhe më ambicioz, duke marrë shembull nga jeta e tyre. Ne e kemi
parë të udhës që, para se të hymë në shtjellimin e krijimtarive të këtyre dy
gjigantëve letrarë, së pari të njihemi me biografinë e këtyre shkrimtarëve, në mënyrë që të shohim
nxitjet dhe shkaqet se si është arritur deri tek këto krijime madhështore. Pasi
të kemi marrë njohuri për jetët e këtyre dy kolosëve të mëdhenj, që kanë jetuar me largësi të madhe kohore si dhe
me kultura të ndryshme jetësore, njëri në Lindje e tjetri në Perëndim, ne, më pas, do të ballafaqohemi dhe njoftohemi
me ideologjitë, filozofirat si dhe me shumë gjëra të përbashkëta apo të
ndryshme që kanë pasur këta dy krijues.
Qëllimi i këtij punimi është që të mësojmë më shumë për
ndikimet e njërit krijues tek tjetri, të mësojmë për mënyrën e kalimit të
krijimtarisë letrare nga një zhanër në
tjetrin, për ndikimet dhe shkaqet cilat
kanë bërë që shkrimtari të anojë dhe simpatizojë shkrimet e tjetrit, siç është Gëte, që e pohon me shumë
dashuri dhe sinqeritet vlerën e divanit
të Hafëzit etj. Gjithashtu duhet cekur
që ky punim ka për qëllim që të tregojë se nëse një popull arrin të ndikohet
nga një popull tjetër dhe nëse mirëpritet me pohim, sinqeritet dhe dëshmi reale, atëherë populli tjetër, si pranues i një kulture
të re letrare dhe ideologjike, do të vërejë ndryshime të dukshme në shoqërinë
ku jeton. Këto ndryshime, si në atë kohë e deri më sot, çdo ditë e më shumë
ngjallin kërshëri dhe dëshirë për të ditur më shumë, duke i gërshetuar dy
kulturat, si janë në këtë rast ajo lindore dhe perëndimore.
Ky punim diplome
dhe kjo temë e zgjedhur, që ka përfshirë në vete një numër të madh poezish të
cilat janë të njohura në botë, më ka shkaktuar vështirësi së bashku me etje për
njohuri të reja. Kam pasur vështirësi sepse poezitë e Gëtes janë shumë pak të
përkthyera në gjuhën shqipe dhe kjo ishte një mungesë e materialit bazë, prandaj më është dashur që të gjej Divanin e Gëtes në gjuhën angleze, pasi ka
qenë gjuha më e afërt që mund ta kuptoja.
Libri i Gëtes në gjuhën angleze
titullohej “WEST-EASTERN DIVAN”
nga Johann Wolfgang Von Goethe, si dhe
shumë përmbledhje të Hafëzit në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke. Puna tjetër e radhës ishte që të bëja një
krahasim dhe të gjeja se cilat janë ato motive të Gëtes që kanë qenë elemente
inspiruese nga burimet e shkrimeve të Hafëzit.
Për të arritur në një realizim sa më të bukur të këtij
punimi, e kam parë të udhës që së pari të bëj një strukturim mjaft të
ndërlidhur dhe më pas punimin e kam ndarë në disa teza të cilat i kam shqyrtuar
veç e veç. Këto teza janë:
-
Biografia
e shkurtër e Hafëz Shirazit
-
Biografia
e shkurtës e John Wolfgang Von Goethe-s.
-
Karakteristikat
e përbashkëta tek të dy divanet.
-
Filozofirat
e përbashkëta,
-
Reminishencat
dhe simbolikat
-
Konkludimet
e Gëtes për “Divanin” e Hafëzit,
-
Mesazhet,
si dhe
-
Përfundimi
si një rezyme e gjithë punimit tematik.
Para se të flas
për karakteristikat e dy divaneve, filozofirat e përbashkëta, reminishencat dhe
simbolikat, mendoj se është me rëndësi
që të njihemi me jetën private të krijuesve, pra të Gëtes dhe të Hafëzit. Jetët e këtyre dy krijuesve të mëdhenj letrarë
e filozofikë i drejtojnë krijuesit e rinj drejt optimizmit, vullnetit dhe rrugës
së angazhimit.
HAFËZ
SHIRAZI DHE VEPRA E TIJ POETIKE
Hafëz Shirazi
është pseudonim i çmuar dhe shumë i përshtatshëm për personalitetin e tij, ndërsa emri i tij i plotë është Shemsudin Muhamed
Hafëz Shirazi. Emrin Hafëz e ka marrë ngase që në fëmijëri e kishte mësuar
përmendsh Kur’anin e shenjtë, ndërsa emri tjetër Shirazi i është dhuruar ngase
poeti jetoi dhe veproi në Shiraz. Përndryshe, Shirazi është një qytet i njohur
në Iran për arsye të veçanta kulturore, ngase ka qenë i
vetmi qytet që ruante dhe kultivonte me shumë fanatizëm gjuhën e pastër dhe të
pasur perse.
Hafëz Shirazi është
poet i shek. XIV-të. Ai lindi më 1325, në Shiraz dhe vdiq në vitin 1389, në vendlindjen
e tij. Ishte erudit i kohës së tij dhe gnostik. Ai posedonte një dije dhe
bagazh të gjerë njohurish. Pos asaj që kishte studiuar letërsinë arabe dhe
teologjinë, ai njihej edhe si Hafëz dhe si komentues i Kur’anit. Inspirimet e
tij ishin frymëzime hyjnore që buronin nga bindja dhe besimi i vërtetë që
posedonte.
Hafëzi ishte shumë i përkushtuar ndaj profesionit të tij
si teolog. Njohuritë e Kuranit dhe inspirimet nga mësimet e shenjta islame ai i
gërshetonte me shumë elasticitet dhe ritëm melodik në krijimtarinë e tij
letrare. Në interpretimin e gazelave vërehet shumëllojshmëria e inspirimit të
poetit. Ai kishte një kompleks ndjenjash, motivesh dhe formash krijuese. Hafëzi,
një poet i lashtë më shumë se gjashtë shekuj më parë, nuk zë thjesht vetëm një vend
në histori si shumë poetë të tjerë, por krijimet e tij mbesin të afërta dhe
komunikojnë me lexuesit pothuajse çdo kohë.
Nga informacionet e pakta dhe të kufizuara që janë për
jetën private të Hafëzit, mësohet se ai ka mbetur bonjak që në moshën
shtatëvjeçare. Për shkak të vështirësive dhe varfërisë është detyruar të punojë
në furrën e lagjes dhe, në të njëjtën kohë, ka vazhduar shkollimin. Hafëzi
kishte fatin që jetonte në një qytet që shquhej për qarqet e njohura të
dijetarëve. Ai qëndronte pranë tyre dhe mundohej t’i kuptonte diskutimet dhe ligjërimet e tyre shkencore.
Jeta private e Hafëzit
kishte ndikim të madh në krijimtarinë e tij letrare. Ai ishte martuar me
një vajzë që e dashuronte shumë. Ajo quhej Shah Nabat, e cila sipas gojëdhënave
thuhet se i mungonte Hafëzit. Në moshën 38 vjeçare, këtë mungesë të dashurisë
ai e kishte paraqitur në njërën prej gazeleve të tij.
Me një fjalë, Hafëzi është poeti më i njohur iranian që ka
pasur një talent të rrallë. Në të njëjtën kohë ai është dhe njëri ndër poetët
më të mëdhenj botërorë.
Hafëz Shirazi cilësohet si një prej arkitektëve të stilit
poetik pers. Divani i Hafëzit është një ndër përmbledhjet e tij poetike që ka
një tematikë të gjerë. Ky libër ka vlera të mëdha jo vetëm poetike por edhe
shkencore. Në përmbledhjen poetike “DIVANI”
trajtohen të gjitha tematikat. Ato përfshijnë mendimet e njerëzve të thjeshtë,
mënyrën e të jetuarit, dashurinë, urrejtjen, simpatinë, çiltërsinë, bindjen, sakrificën
dhe shumë vese e virtyte të tjera njerëzore. Pra, Divani është një vepër sociale
që iu përket të gjitha klasave dhe kodeve shoqërore të kohës së tij, duke
filluar prej një klasës së thjeshtë të fshatarësisë e deri tek klasat e
ngritura të shoqërisë, me çështjet e tyre madhore politike – fetare.
Gjatë leximit të Divanit, lexuesi ndihet gjithmonë prezent dhe aktiv, duke u kënaqur me
radhitjen e fjalëve dhe mendimeve shumë të lartësuara që përbëjnë këtë vepër të
mahnitshme. Hafëz Shirazi, pos asaj që
ishte poet, ishte edhe teolog e hafëz
dhe kishte një status të çmuar në shoqëri. Pavarësisht këtij personaliteti të
ngritur, ai ishte shumë i kujdesshëm në krijimtarinë e tij letrare dhe kishte
një dozë rezerve gjatë të shprehurit të ndjenjave intime dhe gjendjes shpirtërore.
Ai nuk mund t’i shpaloste këto ndjenja në mënyrë direkte, ashtu siç i gufonin nga brendia e shpirtit, që
shpeshherë e kapte pasioni. Kjo dozë e kufizimit të vetvetes vërehej më së
shumti kur ishte në fjalë femra. Por loja e Hafëzit me fjalët formonte një stil
të veçantë dhe estetik në të shprehurit e ndjenjave përmes fjalëve. Por prapë
se prapë femra, me brishtësinë dhe bukurinë e saj magjepse, zinte rolin e saj në
poezitë e tij. Ai e paraqiste atë si një krijesë shumë nxitëse dhe të dashur, që
ta kënaqte shpirtin.
Mjeshtëria dhe mençuria e tij e rrallë e bëri që gazelat
dhe poezitë dedikuar dashurisë të shprehen në një frymë mistike, duke lënë mënjanë
dashurinë materiale dhe duke predikuar më shumë dashurinë spirituale,
metafizike. Hafëzi, para se të shkruante Divanin e tij, u ndikua nga krijimet e
pararendësve të tij të poezisë së lashtë mistike persiane, siç janë ato të Haxhiut,
Rumiut, Saadi Shirazit e të tjerëve. Duhet cekur se vlerat e Divanit të Hafëzit janë shumë të
mëdha në krahasim me krijuesit para tij, sepse këtu përfshihen rryma të reja,
shprehje të reja, proverba të shumta dhe gazela të mrekullueshme,
prej të cilave njerëzit frymëzoheshin, motivoheshin për jetë, si dhe merrnin
mesazhe të bukura.
Në përmbledhjen poetike të emëruar “Divani” vërehet se Hafëzi
ka pasur ide dhe mendime të lartësuara. Andaj ai iu printe të gjithë poetëve persianë. Gjithashtu ai ka pasur dhe një stil të veçantë
dhe shumë tërheqës të vjershërimit. Duhet të cekim edhe faktin se Hafëzi është
përpjekur që t’i bëjë më të lehta domethëniet e vështira të librit të tij, në mënyrë që të
jetë sa më popullor.
Divani i Hafëzit është i përbërë nga tri mënyra
vjershërimi: kaside, gazele si dhe masnavi
apo proverba të shkurta. Përmbledhjen e parë të divanit të Hafëzit e ka
bërë Muhamed Golandam.
Pos talentit që kishte për poezinë, Hafëzi gjithashtu zinte
një vend të shquar në grupin e dijetarëve që dalloheshin për elokuencë,
misticizëm dhe spiritualitetit. Kur flasim për divanin e Hafëzit nuk duhet të
harrojmë edhe çështjen e fallit. Hedhja e fallit apo bërja e parashikimeve nga divani i Hafëzit është një traditë e
hershme që përdoret edhe në ditët e sotme te popujt persishtfolës.[1]
JOHAN WOLFGANG VON GOETHE DHE VEPRA E TIJ POETIKE
Gëte është një krijues gjenial i kohës së tij. Ai krijoi
vepra të mëdha me vëllime shumë cilësore. Në këto krijime ai përdori të gjitha
gjinitë dhe zhanret letrare. Në historinë
kulturore të Gjermanisë dhe të Evropës,
Gëte mbetet një personalitet i gjithanshëm, që atëherë e deri më sot.
Wolfgang Gëte, pos
asaj që merrej me shkrime letrare, kishte talent edhe në pikturë, shkencë,
diplomaci dhe administrim. Thuhet se Gëte ka qenë e suksesshëm në jetë sepse
ka qenë njeri shumë preciz. Ai ka pasur
durim gjersa krijimin e vet të mundimshëm e ka parë me kënaqësi në piedestalet
më të larta të shoqërisë. Si shumë krijues të tjerë, edhe Gëte nuk ka mbetur i
kënaqur me krijimet e tij sepse gjithmonë kërkonte të përkryerën. Prandaj të
gjitha këto aftësi njerëzore, që i përsoste profesionalisht çdo ditë e më shumë,
u bënë shkak që Wolfgang Gëte të bëhej i famshëm jo vetëm në Evropë por edhe në
botë.
Gëte u lind dhe u rrit në një familje të pasur
aristokrate. Krahas begatisë dhe bukurisë së mënyrës së jetës luksoze, ai, njëlloj si edhe shumë romantikë të tjerë,
vendosi të merrej me studimin e Orientit, duke marrë motive nga bota ekzotike e
Lindjes. Gëte,
si një djalë i ri në mesin e të pasurve,
e ndoqi
shkollimin në shtëpi, ashtu siç ishte zakon në atë kohë për familjet e pasura. Para
së gjithash ai mori mësime lidhur me gjuhën e re, si dhe me të vjetrën. Që në
fëmijëri u njoh me teatrin. Qysh në moshën 11 vjeçare - derisa Frankfurti për 7
vite radhazi ishte i pushtuar prej francezëve - vizitonte rregullisht shfaqjet
e aktorëve francezë.
Volfgang Gëte pati një reflektim të shkëlqyer duke u ndikuar nga
bota gnostike dhe poetike e Hafëz Shirazit. Si rezultat i kësaj ishte
përmbledhja e tij e emëruar ngjashëm me atë
të Hafëzit, pra “Divani lindoro - perëndimor”. Veprat e Gëtes, që u punuan pas njohjes me
botën aziatike, qofshin ato poezi, drama apo romane, që e bënë atë ta njohë të
vërtetën mbi Kuranin dhe Muhamedin,
botën reale, dashurinë dhe urrejtjen e të keqes dhe të pavërtetës, i dhanë një kah krejt tjetër krijimeve të tij.
Është shumë
mbresëlënës fakti se Wolfgang Gëte i kapërceu kufijtë e Gjermanisë që nga vitet
e 60’ta e 70’ta të shekullit të XVIII-të në vitet e “Stuhisë e të Vrullit”
(Strum und Drang), kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat, atëherë kur filloi të lexonte Kuranin[2] dhe me dhjetëra dorëshkrime të mbledhura me
kujdes, e madje edhe të kopjuara prej tij,
sot ruhen në bibliotekën historike të konteshës Ana Amelia, në Vajgur.
Gëte pati fituar famë në publikun gjerman qysh në moshën
24 vjeçare, me tragjedinë heroike “Gëci i Berlihingenit”, e cila vë në qendër
personin historik homonim të shekullit
XVIII-të, që Gëte e ngre në lartësinë e heroit kombëtar. Po ashtu romani “Vuajtjet e djaloshit Verter
Gëten” i dha kah dhe model romanit të atëhershëm psikologjik dhe ai ishte libri
i parë që i siguroi letërsisë gjermane njohje botërore. Kurse me romanin “Vihejm
Majster”, për të cilin punoi shumë vjet, Gëte u bë krijues i romanit gjerman
modern.
Gëte është letrari më i famshëm gjerman. Ai merrej me
filozofi, si dhe me shkenca natyrore dhe politike. Ai ka pasur një bagazh të
madh njohurish sepse i kishte lexuar gati të gjitha përkthimet e kohës së tij,
prej klasicizmit deri te romantizmi. Gëte ka qenë gjithashtu i njohur me dramën
lirike “Fausti”, të cilën e ka shkruar dhe përfunduar në vitin 1833, dramë për
të cilën kishte punuar gjashtëdhjetë vjet. Kur e mbaroi dramën lirike të emëruar
“Fausti” Gëte u shpreh me kënaqësi: “Tani e tutje, ditët që më kanë mbetur mund t’i quaj dhuratë. Për mua tani nuk ka më
rëndësi të mendoj se a do të mund të bëj gjë tjetër dhe çfarë do të bëj.”
Wofangang
Gëte ishte studiues në lëmin e drejtësisë. Ai ishte njohës i mirë edhe i gjuhës
arabe, si dhe ushtronte punën e tij si profesor në degën e orientalistikës. Të
gjitha këto hulumtime dhe studime ishin shkaqe që bënë që ai të gjente idilin,
apo më mirë të themi frymëzimin e tij te Hafëz
Shirazi, të cilin më vonë u mundua ta kopjojë dhe imitojë me veprën e
tij “Divani perëndimor lindor”.
Divani i Gëtes edhe në ditët e sotme
i zgjeron hapësirat e dijes tek lexuesit. Ai e mëson atë të jetë tolerant dhe i ndershëm ndaj jetës. Divani i
shfaqur më 1818 është përmbledhja e
fundit e madhe e poezive të Gëtes, pjesa
më e madhe e të cilave është krijuar në
vitet 1814-1815. Impulsi vendimtar për
punë në Divan daton nga viti 1814, kur Gëte njohu përmbledhjen e poezive të Hafëzit
të quajtur “DIVANI” i përkthyer nga
orientalisti austriak Josef fon Hamer.
Për të dy
strukturat karakteristike të Divanit, Gëte i shkruan mikut të tij Celterit, në
majin e vitit 1815: “Para se ta përfundoj shkrimin, po e shfletoj edhe njëherë
Divanin tim dhe kam justifikim se nuk mund të të dërgoj asnjë nga poezitë e
mia, e cila do të shërbente në favor të tërë përmbledhjes. Megjithatë çdo gjë në
të është përfshirë me shpirtin e së përgjithshmes, sa që
brendësia është nga fusha lindore, ashtu që është i lidhur me thjeshtësinë,
zakonet, religjionin, që gjithnjë përmes një poezie paraprake që duhet të jetë e
tërhequr, nëse duhet të ndikohet në imagjinatë dhe ndjenja. Unë as vetë nuk e dija
se çfarë tërësie të mrekullueshme kam bërë prej saj.”[3]
HAFËZI DHE GETE – QASJE KRAHASIMTARE
Hafëzi i njohur me kryeveprën e tij “Divani”, i quajtur ndryshe edhe si lirika më e mirë
persiane, ka qenë një frymëzim i mirë për shkrimtarin dhe mendimtarin e madh
gjerman John Wolfgang Goethe.
Te të dy autorët vihet re dukshëm prania e të shenjtës, jo si diçka fizike apo materiale, por si
personifikim i një bote të panjohur që ka vazhdimësi me fshehtësitë e saj. Gëte, ashtu si Hafëzi, gjen prehje në
përsosmërinë e gjërave, duke e quajtur këtë jetë si një botë kalimtare dhe ndalet në gjykimin që do t’iu
bëhet qenieve njerëzore pas jetës së
tyre në tokë. Një rast unik i këtij
ndikimi mbetet dyshja Hafëz-Gëte. Ky i fundit
edhe pse ka shumë hapësirë kohore,
ka arritur të ringjallë në njëfarë
mënyre tematikat që Hafëzi i ka trajtuar në “Divani”-n e tij. Ndikime të tilla bëjnë të mundur që letërsia
të zhvillojë epërsinë e saj ndaj shkencave të tjera. Jo rrallëherë autorët ndikohen
nga njeri-tjetri, duke thyer kështu kufirin i cili, shpeshherë, nuk e mirëpret influencën
e një kulture në një kulturë tjetër.
Të dy autorët, në momente skajshmërisht të hidhura apo të
gëzueshme, e shohin si zgjidhje verën. Gjithashtu nga shumë faktorë të jashtëm
paraqesin të njëjtin këndvështrim për pijen, verën si pijen e gjakut mbretëror,
çka tregon që në mënyrë fisnike këta autorë e lartësojnë në veprat e tyre dhe i
japin një kah tjetër pijes, përtej perceptimit vulgar të dehjes dhe vdekjes së
qelizave, por shpeshherë edhe shpëtim.
Gëte për verën:
“Tinguj gotash, krejt të çlirë,
Perla vere magjiplotë!
Çdo dashnor e çdo i pirë,
Fort na josh në këtë botë!”[4]
Ndërsa Hafëzi, gjithashtu verën e përmend si një pije që
të bën t’i harrosh brengat:
“Me gotë vere te burimi shko,
Të shkuarën dhe brengat harro,
Kjo jeta jonë zgjat sa trëndafili,
Burim e ver’e diell përgëzo.” [5]
Të dy autorët janë dashamirës të së bukurës dhe të së
mirës. Ata nuk ngurojnë aspak që ta shprehin këtë, qoftë kjo në pikëpamjen
pikturuese apo afektive. Ata e duan natyrën dhe
i respektojnë rregullat e saj. Edhe pse poezitë e tyre nuk kanë rregulla
të theksuara, ato janë ndjenja të pastra dedikuar të veçantës.
Figura femërore është idili dhe muza frymëzuese e të dy
autorëve. Por këtu vihen re edhe disa dallime të vogla. Hafëzi, edhe pse i
zhgënjyer ndoshta nga femra, ndjenja dhe dashuria, ai nuk inatoset, por me
stilin e tij ja përsos madhështinë kësaj figure. Ai shprehet se çdo gjë mund të
pranohet prej saj, sepse vetë natyra ja ka dhuruar një post të tillë. Pra vihet
re idealizimi dhe falja e gabimit të natyrës femërore si një e keqe, por e
domosdoshme. Ndërsa këtu Gëtja, edhe pse i ndikuar nga Hafëzi, duke e parë femrën nga këndvështrimin e tij,
edhe pse e lartëson femrën, ai shpesh tregohet më tepër racist se sa idealist, duke
e konsideruar edhe si burim i të pakëndshmes, i cili duhet të ndryshojë duke
përmirësuar kështu marrëdhënien mes tij dhe saj. Të shohim një distik të Gëtes kushtuar femrës,
e cila është shkak e lulëzimit të pranverës, shkak i këndimit të bilbilit:
“Një këngë që
shpirti e këndon,
Kur vajza çel si
nuri.” [6]
Apo në rastin tjetër, të paraqesim femrën se si e përshkruan Hafëzi duke e
krahasuar qenien femër si një fenomen mrekullie, ku edhe hëna merr dritë nga
ajo.
“Kur shkon- nga bukuria kokën ul,
Po trëndafili, gonxhet si përkul!
Hëna dërgon paksa nga drit’e vet,
Po merr prej teje dhe shkëlqim e nur![7]
Fakti që Hafëzi në shumë nga lirikat e tij e trajton ndodhinë
gjatë procesit të jetës si një dëshirë të Zotit, ka bërë që edhe Gëtja ta pranojë
një fakt të këtillë. Ai e përmend me shumë spontanitet në poezitë e tij praninë
e “Allahut” dhe i jep përparësi për rezistencën e çdo qenieje në tokë, por
gjithmonë duke ruajtur masën, pa rënë kështu pre e fatalizmit.
Një fakt tjetër interesant është edhe besimi i
njëjtë i të dy autorëve. Ata e pranojnë
Allahun por nuk largojnë pijen, çka bie në kontradikte me pikëpamjet e parimeve
fetare, nëse shikojmë nga shkalla e parë e të kuptuarit më të thjeshtë dhe
direkt, e jo nëse shikojmë nga aspekti letrar metaforik apo alegorik.
Pohimi i besimit të njëjtë të autorëve duket nga këto vargje
të Gëtes;
“ Allah i Mëshirshëm
e Fuqiplotë, shkretëtirash të pamata,
Arabit na i dha për short, këto katër dhurata!”.....[8]
GËTE DHE DIVANI
Gëte, siç e dimë, mburrej me idetë demokratike të
iluminizmit, por brenda lëvizjes “Stuhi e Vrull” (Sturm and Drang) spikatën
shenjat e para të një talenti të madh të romantizmit. Menjëherë pas kësaj
ngjarje, Gëte u zhgënjye nga disa prirje estetikisht të njëanshme brenda
romantizmit që e mbingarkonin poezinë me rënkime, psherëtime e vajtimet të thella
shpirtërore, prandaj edhe u shkëput nga lëvizja “Stuhi e Vrull”. Pas kësaj bote
të iluminizmit e romantizmit, Gëte arriti në botën e divaneve, ku më pas u njoh me xhevahiret dhe misteret që
bartnin ato. Këta margaritarë ishin të fshehur në krijimtarinë e Omer Hajamit,
Rumiut, Saadiut si dhe të Hafëz Shirazit.
Nga ndikimet e lartpërmendura dhe nga kalimi në etapat e ndryshme
letrare, Gëte krijoi një zbulim të ri artistik, që ishte gjenial për kohën. Me
veprën e tij “Divani perëndimor lindor”
Gëtja paralajmëroi, me intuitën e tij të pagabueshme, se tashmë letërsia
dhe poezia do të ecin përpara vetëm në qoftë se do të fitonin karakter
universal, mbarëkombëtar dhe mbarënjerëzor. Por ky koncept i Gëtes mbi letërsinë botërore u pranua në shekullin e XIX-të, kur Gëte nuk jetonte
më. Ky pranim apo miratim i zbulimit
artistik të Gëtes, që gjatë kohës së tij në Gjermani quhej si një
“arratisje” e tij nga realiteti i
Gjermanisë, më vonë, pra në shek. XIX-të
u pranua nga shumë përfaqësues të iluminizmit, romantizmit e realizmit.
Sot letërsia kombëtare
nuk nënkupton të jemi fanatikë për atë që posedojmë apo krijojmë apo të jemi të
shabllonizuar. Unë mendoj se letërsia e një kombi duhet medoemos të ngrihet në
nivelet më të larta letrare, duke u përfshirë
në letërsinë botërore. Andaj mund të themi se Gëte ishte një gjeni i kohës. Ai nuk e pa letërsinë si një kulturë
të unifikuar të një populli, por i dha asaj më shumë mundësi reale. Po ashtu edhe
poezinë ai e shihte si një mundësi për
tejkalimin e kufijve shpirtërorë në mes popujve, apo në fund të fundit si një marrëdhënie
tolerante në mes popujve dhe shteteve të ndryshme.
Me këtë zbulim gjenial në letërsi, Gëtja nuk mbeti i
vetmuar në parapëlqimet e tij ndaj vlerave artistike të Orientit. Shembullin e
tij e ndoqën edhe Shileri, Hajne, Hofman, Bajroni, V. Hygo, Aleksander Pushkini,
ashtu si edhe De Rada, Naim Frashëri, Nesim Frakulla etj.
Kjo ide e admirimit të divaneve lindore nuk mbeti vetëm
ide thjesht deklarative, por u mishërua qysh në poezitë e “Divanit lindoro - perëndimor”,
siç është “Këngë vajtimi e gruas fisnike
të Hasan Agait[9]”,
nga e cila ne do të paraqesim një fragment të shkurtër si dokument të shkruar.
Pastaj “Kënga e shpirtrave mbi ujëra”,
“Të perëndishmët”, “Kënga e Muhamedit” e
shumë të tjera. Do të mjaftonte të përmendim një ilustrim të magjisë estetike, duke marrë vetëm një pjesë nga “ Kënga e Muhamedit”, për të kuptuar
lartësimin që arriti poezia e Gëtes e nisur nga motivet e divaneve orientale,
sidomos nga “DIVANI” i Hafëzit.
“Shihni
burimin,
Plot me
gëzim.
Ndrin si një
yll...
Me hov djaloshar,
Kërcen prej
reve
Mbi shkëmb
të mermertë,
Turret përmes guralecësh,
Dhe me çapin
e një prijësi,
Fton
vëllezërit burime,
Që ta
ndjekin.
Atje poshtë
në luginë,
Ku lë gjurmë
çelin lule;
Dhe lëndina
zë bleron nga fryma e tij...
Ejani!-dhe
shtohet, mbushet,
Dhe vjen më
me madhëri, duke ardhur valë-valë,
Me vrull
drejt tatëpjetë,
U jep emër
vendeve;
Ku vë
gjurmën, ngre qytet.[10]
Gëte,
kur u njoftua me krijimtarinë e poetëve persianë, u habit me aftësinë dhe mjeshtërinë
e tyre. Ata i zbërthenin me përfytyrime
konkrete, jo vetëm kategoritë abstrakte të filozofisë, por edhe simbolet e
ndryshme fetare, teologjike, me ndihmën e të cilave paraqitej realiteti, jeta e
gjallë, dukuritë e natyrës të poetizuara dhe ndërtoheshin krijime të mrekullueshme,
të ngjashme me peizazhet e romantizmit gjerman. Frymëzimi dhe inspirimi që Gëtja
mori nga këta poetë, bënë që idetë dhe vokacioni estetik i veprës së tij
poetike, së bashku me Divanin e tij, të bëheshin një gur i patundur i kulturës
së sotme moderne botërore.
KARAKTERISTIKAT E PËRBASHKËTA TË DY DIVANEVE
Duke analizuar në formën krahasimtare veprën “Divani” i Hafëzit dhe “Divani lindoro - perëndimor” i Gëtes, vërejmë
një ngërthim të influencave të depërtimit si dhe të një “dialogu” mes distancave
kohore të largëta ndërmjet këtyre dy
autorëve. Njëri i kulturës së lashtë
persiane si dhe tjetri, pra Gëte, një
krijues gjenial i kohës së tij në historinë kulturore të Gjermanisë dhe të Evropës. Për njohjen e veprave të Hafëzit u jemi mirënjohës shumë studiuesve
dhe kritikëve të letërsisë shqipe, për arsye se ishin njohës të mirë të gjuhës
perse. Sidomos kanë vlera miradije bejtexhinjtë shqiptarë, të cilit ishin si
një urë lidhëse apo një prurje për një kohë të gjatë historike.
Nëse do të futemi më në brendi, do të shohim që
ballafaqimi mes dy kulturave, edhe pse në kohëra të ndryshme, sjell mesazhin se
letërsitë, pavarësisht nga vendi, edukimi dhe koha, formojnë jo vetëm një
perceptim të ndryshëm, por edhe
ballafaqohen me idetë dhe teoritë e lexuesve dhe të teoricienëve të letërsive
të ndryshme.
Mes “Divanit” të Hafëzit dhe “Divanit
lindoro - perëndimor” të Gëtes, gjejmë jo vetëm elemente krahasuese si në
ngjashmëri, imitime, reminishenca, por edhe ndikime apo inspirime të njërit
poet nga tjetri. Për sa i përket këtij
krahasimi, kemi dy llojesh krahasimesh: “krahasimi
tipologjik dhe krahasimi gjenetik.” [11]
1-
Krahasimi
gjenetik: ka si objekt ngjashmëritë, përmes ndikimit të drejtpërdrejtë apo edhe
të tërthortë, gjë e cila në këtë punim tonin studimor është shumë e dukshme mes
dy divaneve. Gëte ka marrë jo vetëm nga letërsia perse, por nga mbarë hapësira
perso-arabe, si edhe nga kulturat që
lidhen me këtë realitet letrar.
2-
Krahasimi
tipologjik: ngjashmëritë që shfaqen pa kontakt, për shkak të klisheve analoge
të prodhimit, apo receptivit letrar. Receptivi i Gëtes ndaj përkthimeve të
Kuranit, që i ra në dorë qysh në kohët e hershme të rinisë, bëri që imitimi të dalë
“de facto” si një kontakt me poezinë e Hafëzit.
Meqenëse krahasimi
gjenetik është më afër termit “letërsi krahasuese” duhet parë se si teksti i një
autori ndryshohet dhe rikuptimësohet
prej autorit tjetër receptues. Nëse do të shohim ndikimin e “Divan-it” të Hafëzit tek Gëte, mund të
themi dhe të dëshmojmë paralelisht për një ndikim të mirëfilltë të veprës së
një autori mbi një autor tjetër. Më konkretisht mund të themi se ndikimi i Hafëzit
dhe vetë kultura islame, së bashku me
shkrimtarët persianë, ishin te
Gëte si një ndikim i tekstit të huaj në prodhimin e tekstit të ri, në gjuhën e
autorit të ri, pra në gjuhën gjermane.
Me një fjalë mund të themi se “Divani”
i Hafëzit ka ndikuar në krijimin e “Divanit
lindoro – perëndimor” të Gëtes. Ky
lloj hulumtimi mes këtyre dy poetëve, relativisht në kohë dhe hapësirë të
largët dhe relativisht mes dy letërsive shumë të ndryshme, është mbështetur
fort në formulën e Hipolit Tenit “racë-mjedis-moment”[12].
Gjithashtu edhe komparatisti rus, Viktor Zhirmunskij, zbuloi kontaktet dhe ndikimin e Hafëzit tek
Gëte, apo pse erdhi ky kontakt dhe ky ndikim te një poet si Gëte, për të
shkruar një vepër po me të njëjtin titull.
Duke parë këto dy vepra, si edhe karakteristikat e
përbashkëta në të dy rrafshet e krahasimit, mund ta emërtojmë si “kritikë letrare e krahasuar, që nuk i
drejtohet vetëm objektit letrar, por edhe nivelit të përshkrimit, interpretimit
dhe vlerësimit, si një objekt konfrontimi të pozicioneve të ndryshme të
studimeve të fenomeneve letrare të lidhura aq ngushtë” [13].
FILOZOFIRAT
E PËRBASHKËTA TE TË DY DIVANET.
Poezia e Hafëzit përcjell mesazhin e fshehtësisë dhe të
misterit. Vargjet e tij janë frymëzim nga Kurani, të cilin poeti i dinte përmendsh,
prandaj edhe e kishte marrë emrin hafëz. Gëtja, jo vetëm për simpatinë e tij të
veçantë që kishte për gjuhën e Kuranit, jo vetëm për bukurinë dhe
paarritshmërinë e tij, jo vetëm për domethënien
fetare, por ai u tërhoq shumë edhe nga ideologjia dhe filozofia e Kur’anit.
Kjo filozofi që e mahniti Gëten kishte në thelb tri cilësi:
-
Njëshmëria
e Zotit.
-
Shfaqja
e njësisë së Zotit në natyrë.
-
Krijimi
nëpërmjet cilësive të tij të përkryera.
Hafëzi e ka të
shkrirë filozofinë fetare në mistikën e vargjeve të tij sepse Hafëzi nuk ishte vetëm poet, por edhe gnostik,
apo siç thotë fjala e popullit evlia apo njeri i përsosur. Ndërsa filozofia fetare e Gëtes është shumë e
hapur sepse gjatë studimeve intensive për njohjen dhe studimin e Kuranit, duke
kopjuar tekste me versete kuranore, Gëte vuri në dukje se njeriu nëpërmjet Kuranit
duhet ta shohë natyrën dhe bukurinë e saj si shenjë të ligjshmërisë hyjnore. Gëte,
si shumë shkencëtarë të tjerë islamë, botën e shihnin si një makrokozmos e
njeriun si një mikrokozmos. Shumëllojshmëria, lëvizja dhe dukuritë e
natyrës dëshmojnë për Një dhe të vetmin Zot, Allahun. Duke iu referuar natyrës,
siç e paraqet Zoti në Kuran, Gëte e lidh njëshmërinë me:
-
Mirësinë
Hyjnore dhe njerëzore, dhe
-
Njëshmërinë e Zotit.
Gëte duke u nisur
nga surja El-Bekare, surja e dytë në Kuran, ku e kupton “Madhështinë
e Zotit në vogëlsi”, pra tek
mikroorganizmat, e krahason Zotin me një
makrokozmos dhe njeriun me një mikrokozmos të përkryer.
Gëte ndihet veçanërisht i impresionuar nga fakti se Zoti i flet njerëzimit nëpërmjet profetëve, duke
pohuar se profeti Muhamed është i dërguari i Zotit, e jo vetë Zoti apo biri i
Zotit, duke aluduar se në fenë kristiane njësohet Jezusi me Zotin. Këtë bindje
e cek duke përvetësuar suren “Ibrahim”: “Prandaj është e vërtetë ajo që
Zoti thotë në Kuran: Nuk i kemi dërguar asnjë populli profet, përveçse në
gjuhën e tij ”. Përsëri Gëte,
duke iu referuar po të njëjtit ajet nga Kurani, në një letër të tij shkruan: “Kurani
thotë: Zoti i ka dërguar çdo populli nga një profet në gjuhën e tij”.
(WA IV 42, 270). Por Gëtja shkoi akoma
edhe më larg duke i sfiduar mosbesimtarët që i kërkonin Muhamedit të bënte
mrekulli. Ai shkruan:
“Mrekulli nuk mund të bëj,
tha profeti,
mrekullia më e madhe është
që jam unë”.
(Paralipomena III, nga “Divani…”, WA i, 41, 307).
Filozofia dhe mistika e poezisë së Hafëzit është shumë e
fshehtë dhe e shkrirë ne vargjet e tij, andaj është vështirë të kuptohet me përpikëri
domethënia e krijimeve letrare të tij. Shumë emra apo edhe profetë të përmendur në
Kuran janë shkrirë në vargjet e mëposhtme të Hafëzit.
“A mban mend atë gojëdhënë? Jakupi at i mirë,
tha:
Se ç’është dhimbja mund ta dijë, ai që djalin më s’e ka” .
(A e mban mend atë gojëdhënë)[14].
Apo në vargjet më poshtë:
“Urdhëro
xhindin: “Lidhe erën!”, “Jo erën nyjes s’e bën dot”
“Me fjalë t’urtë të Sulejmanit përgjigje er’ e lirë i dha”.
(A e mban mend atë gojëdhënë)[15].
Brendia kësaj filozofie e bën “Divanin” e Hafëzit një mistikë të gërshetuar bukur, me fjalë të
përzgjedhura, ku poezia e tij flet qartë për humanizmin dhe optimizmin për ta
gëzuar jetën. Edhe vera që përsëritet shpesh, siç pohuam edhe më parë, nuk
është thjesht një pije për t’u dehur e për të humbur arsyen, ajo është një eliksir
jete, një largim nga asketizmi dhe nga dogmat, një thirrje për të pasur shpirt
të lirë. Epërsia morale vërshon në poezitë e tij. Ajo shprehet në vargjet ku
flitet për afshin e lirisë që mund të sjellë një kasolle e thjeshtë, për një
bodrum me miq e shokë ku do të hapen zemrat.” [16]
Një filozofi kaq të thjeshtë, që e mahniti Gëten, e gjejmë
tek vargjet:
“Rrënojat e jetës ky gjiri i nxehtë gëlltit,
Dhe kupat na mbushi, ngrohu me afsh q’u fashit,
Ti zgjohu, o mik, dhe shih katandinë që vate,
Kasollen e jetës fat-bartësi si e vërtit!” (Rrënojat e
jetës)[17]
REMINISHENCAT DHE SIMBOLIKAT
Një reminishencë nga Kurani, të kthyer në një metaforë të
fortë “rryma drejt oqeanit” për figurën e Muhamedit si prijës i njerëzimit dhe
jo veç të muslimanëve, Gëte sjell simbolikën e parë:
1. Në veprën “Mahomet” Gëte përfshiu këngën e tij të famshme
të lavdisë “Mahomets gesang” (Kënga e Muhametit). Figura e profetit është
simbolikisht e vendosur në metaforën e rrymës që ka nisur nga një përrua i vogël, e që pastaj rritet dalëngadalë duke
u shndërruar në një forcë të pafundme shpirtërore, për të përfunduar plot lavdi
në oqean. Ai e përshkruan gjeniun e madh të fesë duke i tërhequr njerëzit pas
vetes ashtu si rryma që merr me vete
edhe shumë përrenj e lumenj deri në oqeanin e madh. “Kreu i qenieve të krijuara/Muhamedi” (WA 16, 482).
2.
Një
tjetër simbolikë që dallon Gëten është sjellja e muslimanit dhe ndihma që ai jep
për të varfrit, duke e bërë aktin jo si investim, por për ta mbushur jetën me
mirësi, bekim, dashuri dhe shpresë. Ai shkruan:
“Gjykoje denjësisht dhe gjithmonë do të japësh.” (WA 16,
70).
3. Besimi i Gëtes në parapërcaktimin e Zotit. Në një varg të
“Divanit lindoro- perëndimor” ai shkruan:
“Nëse Allahu do ta kishte vendosur që unë të isha një krimb
Ai do të më kishte krijuar mua si krimb.” (WA
16. 113).
Nëpërmjet metaforave të “ Divanit
lindoro-perëndimor” mësojmë islamin
e vërtetë të sjellë dhe të mirëkuptuar nga Gëte, me bindjen se askush nuk mund
t’i ikë fatit të paracaktuar për njeriun. Vetë Gëte i besoi fatit të caktuar duke iu
nënshtruar vullnetit të Zotit, jo si
rebelim por si një urdhër që duhet pranuar me mirënjohje dhe kjo lidhet me shumë
përvoja nga jeta e tij personale, si:
a)
aksidenti
ndaj karrocës së tij tek Marian vonVilmer, me të cilën donte të martohej pas
vdekjes së Kristianës. Pas këtij aksidenti e kuptoi se nuk do ta shihte më
kurrë Marianën, duke shkruar: “Dhe kështu
na duhet të qëndrojmë brenda Islamit d.m.th.: në nënshtrim të plotë ndaj
vullnetit të Zotit. ” (WA IV 33, 123).
b) epidemia e kolerës që u shfaq në vitin 1831, jo vetëm në
Gjermani por dhe në tërë Europën, gjatë së cilës vdiqën shumë njerëz. Nëpërmjet
një letre ku ngushëllon një mikeshën e tij, ai shkruan: “Këtu askush nuk mund të këshillojë njeri; secili duhet të vendosë se
çfarë duhet të bëjë. Ne të gjithë jetojmë në Islam, pavarësisht nga forma që
zgjedhim për të inkurajuar vetveten.” (19. 09. 1831. WA , IV, 49, 87).
c) si pjesëmarrës në luftën e vitit 1792 kundër Francës,
Gëte, më 7-8 nëntor 1792, shkruan se besimi në parapërcaktimin e gjithçkaje nga
Zoti e ka zanafillën nga Islami. Gëte shprehet: “Feja muhamedane jep shembullin më të mirë për këtë.” (WA 133, 123).
Por simbolika e
Gëtes është edhe nga cilësimi që u bën muslimanëve për të mos pyetur për
gjërat që nuk mund të dihen nga njerëzit por vetëm nga Zoti.
Duke bërë dallimin mes:
- Njëshmërisë së Zotit dhe besimit në të, ai shkruan: “Besimi në Një Zot të vetëm është gjithmonë i
efektshëm për ngritje shpirtërore, sepse ai tregon për njeriun njëshmërinë
brenda vetvetes.” (Noten und Abhandlungen zum West-ostlichen Divan, WA i 7,
42).
Duke bërë dallimin mes:
- Poetit dhe profetit
Muhamet, ai shkruan: “Ai është profet dhe jo poet dhe kështu Kurani i
tij duhet parë si ligj hyjnor dhe jo si ndonjë
libër njerëzor, bërë për edukim apo argëtim.” (Noten und
Abhandlungen zum Divan, WA i 7, 32).
KONKLUDIMET
E GËTES PËR “DIVANIN” E HAFËZIT.
Pas botimit të librit “ Divani lindoro - perëndimor”, ku vendin kryesor e zinte “Hafëz-Name”-ja
e Hafëzit, si motiv dhe rrugë për trasim, Gëte, i mahnitur nga gazelat mistike
të Hafëzit, filloi ta përhapë në Evropë këtë misticizëm të panjohur më parë. Duke
u nisur nga “mrekullia” e këtyre poezive, si konkluzion për Hafëzin e madh Gëtja
thotë:
“Të themi vetëm për
këto vepra poetike:-të ngazëllehemi me ato, të shkrihemi në union me ato. Në
ato rreh pa pushim burimi i gjallë i ritmit të qenies.”[18]
Kur Gëtja ra në kontakt me “Divanin” e poetit persian Hafëz Shirazin, ai iu përgjigj me veprën e tij “Divani lindoro-perëndimor”, ku Islami dhe profeti
Muhamed përmenden dhe lavdërohen, bashkë me librin e muslimanëve Kuranin, të
cilësuar si “Libri i Librave”. Gëtes i kishin rënë në dorë qysh më herët disa
nga poezitë e Hafëzit, nëpërmjet gazetave të ndryshme, por kur është takuar me veprat e mëdha poetike mistike të Hafëzit, ai u mahnit
dhe u detyrua t’iu përgjigjej me një krijim të tijin këtyre gazelave mistike.
Gëte shkruan:
“Orienti është i Zotit!
Oksidenti është i Zotit!
Toka e veriut dhe jugut
Ruhen në qetësi në duart e Tij.
Ai, i drejton i Vetëm,
Do për çdokënd të drejtën.
Bëhu një ndër njëqind emrat,
I Lartmadhëruar! Amin”.[19]
(Goethe: “Divani lindoro - perëndimor”,
Moganni Nameh: Libri i këngëtarit: “Freisinn”).
Gëtja e ka çmuar
dhe e ka ngritur shumë lart Hafëzin, tek i cili gjente një harmoni të përsosur
midis frymës dhe fjalës, dhëndrit dhe nuses, duke u shprehur se: “poezitë e Hafëzit, janë të bukura në tërë
thurjen e tyre.”[20]
Për Gëten tingëllon edhe sot si diçka fisnike dhe me
bukuri estetike vargu i Hafëzit me ndjenja sublime:
“Kupës qiellit
shiko, ç’është shkruar mbi tokë:
Përveç punës së mirë për njerinë - çdo gjë tjetër merr
fund.” [21]
Vlerësimi i madh i Gëtes ndaj krijimtarisë së Hafëzit e
bënë atë jo vetëm të shkruajë “Divan-in”
por edhe të fliste me adhurim për të: “duke
çmuar unitetin mes frymës dhe formës,
qartësinë dhe bukurinë e fjalës së drejtpërdrejtë, pa referenca dhe lulëzime të
panevojshme”. Shpirti mistik i Hafëzit, i vlerësuar nga Gëtja, jepet
nëpërmjet këtyre vargjeve:
“I varfër jam po kësaj dite më ra një nur
prej mbretërie,
Një re kam strehë, nën këmbë përrua dhe bregun fron prej Perëndie!” [22]
Gëte, duke njohur ideologjinë e fesë islame, muslimanët, si
edhe poetët e mëdhenj myslimanë, si Sadiun, Rumiun dhe sidomos Hafëzin, i preferonte këto risi si një simbol i
shpeshtë dashurie në poezitë e tij. Krahas
njohurive të reja që merrte, ai nuk e kursente talentin e tij për të shprehur dashurinë
për Hafëzin, nëpërmjet shkrimit të tij në poezinë “Ribashkimi”:
“Hafëz, me ty të jem, kam mall
Në garë! Gaz e dhimbje mal
Të shkulem, ne u bëjmë ballë!
Të dua e të pi ngaherë
Si ti, se ç’krenari e rrallë”.[23]
MESAZHET
Gëte nuk ishte vetëm poet i madh dhe dëshmues i
humanizmit, por nga kontaktet që pati me Islamin, me Kuranin dhe në përgjithësi
me kulturën e botës islamike dhe veçanërisht të asaj perse, jeta e tij mori një
kthesë të madhe. Ai lexonte rreth islamit dhe Kuranit dhe kishte kënaqësi të
thellohej në këto njohuri dhe ideologji të reja, sepse lexonte dhe shkruante në gjuhën arabe.
Gëte mësoi dhe
shprehu tek “Divani lindoro -perëndimor”
një kuptim të thjeshtë dhe të drejtë të virtyteve të përditshmërisë së jetës,
jashtë kornizave të kohës. Për Gëten, islami nuk është dogmë, as besëtytni religjioze
e rëndomtë, por një jetë e thjeshtë dhe e natyrshme reale, si një rrobë e përshtatshme
për trupin dhe zemrën e njeriut. Në një letër, dërguar Lavaterit më 1776, Gëte
shkruan: “Unë jam duke lundruar në
dallgën e botës…I vendosur për të zbuluar, për të fituar, për të luftuar, për
të dështuar apo për ta hedhur veten në erë.”[24]
I gjendur mes turmës së realitetit të ngurtë europian,
mes lidhjes shoqërore dhe personale, por edhe një falsiteti letrar dhe
ideologjik, që kishte përfshirë letërsinë e Perëndimit, Gëte u rilind në
mendime, ideologji, besim dhe krijim letrar e filozofik. Gëte e ndiente ngritjen
e pandalshme e të pandërprerë në shpirtin e tij, që tanimë ishte një shpirt i dëlirë
e i ndërgjegjshëm poetik.
Gëte ishte i vendosur për ta zbuluar vetë çiltërsinë e
botës. Ai nuk dëshironte të pranonte
gjëra të servirura por ishte i vendosur për të luftuar dhe pasqyruar të
vërtetën përmes fjalës, sidomos asaj poetike. Për shkak të kësaj lufte të krijimtarisë
letrare për pasqyrimin e të bukurës dhe të virtytshmes përmes artit dhe fjalës
artistike, Gëte kishte frikë sepse mund edhe të dështonte, por ai nuk dështoi e
as nuk u harrua. Ai u lartësua jo vetëm në poezi, por edhe në piedestalin e
letërsisë botërore. Gjithë këto ndryshime në personalitetin e tij erdhën si
rezultat i marrëdhënies së tij me Islamin dhe Kuranin, gjë që bëri që ai të
njihej dhe pëlqehej në mbarë botën islame.
Në kohën kur Gëtja
u njoh me kulturën islame dhe letërsinë arabe, sidomos atë perse, Europa e
paragjykonte, fyente dhe blasfemonte Islamin, veçanërisht personin e quajtur
Muhamed. Vetë Uashington Irving, në kopertinën e një libri, e kishte paraqitur të
egër figurën e profetit arab, me Kuranin në njërën dorë dhe shpatën në dorën
tjetër. Ky imazh e “diskreditonte” Islamin, që ishte shumë i paragjykuar në
Europë në kohën e Gëtes. Por dalëngadalë, me këmbënguljen e Gëtes, në qarqet
europiane dhe kulturën perëndimore, po futej një “frymë e re”, që po kalonte
fare hapur në një simpati ndaj Islamit, nga figura të njohura të kulturës dhe
shkencës, duke korrigjuar edhe keqformimet ndaj figurës së Muhamedit, Islamit
dhe muslimanëve. Gjithë këtë vetëdijesim Gëte e bënte përmes letërsisë së mirëfilltë
dobiprurëse dhe shumë domethënëse.
Në fillimet e tij, Gëte, nga një vepër e Volterit, e
kishte quajtur më shumë se njëherë Muhamedin mashtrues, por më vonë tek ai lindi
një simpati e dukshme ndaj tij, por me doza rezerve në dramën e papërfunduar
“Muhamedi” (rreth vitit 1773). Më vonë ai vazhdoi në mbrojtje të Islamit dhe
Muhamedit përmes poezive që i thurte me shumë dashuri dhe respekt. Këtë simpati dhe kërkim falje për shkrimet e
mëparshme që ishin në kundërshtim me shkrimet e tanishme, Gëte e përmirësoi
duke shkruar për virtytshmërinë e Muhamedit në poezinë “Kënga e Muhamedit”, si
pjesë e librit “Divani lindoro
-perëndimor”, duke e quajtur Muhamedin jo më si një mashtrues, por si një
burim ndriçues, që ku lë gjurmë çelin lule. Ai shkruante kështu: “Fëmijërinë dhe rininë e tij nuk e mëkuan
mashtrimet apo djajtë si përflitej me neveri aso kohe, por frymërat e mira,
oqeani mallzhuritur, e vërteta që me nostalgji pret bijtë e saj nga shkretëtira.”[25]
I gjendur mes urrejtjes dhe pabesisë që e rrethonte Muhamedin,
atë nuk e ndali dot asgjë - kështu shkruante Gëtja. Po ashtu ai shkruante për lulet
dhe lëndinat që blerojnë nga fryma e tij. Duke mos u ndalur, ai u dha emra vendeve.... Ku lë gjurmën ngre
qytete, duke shuar me mirësi dhe drejtësi etjen e rërës të ndezur nga dielli,
duke mbledhur rreth vetes turmat e vëllezërve me thirrjen: “ejani të gjithë!”
Sipas gjithë kësaj që thamë, poezia e Gëtes tanimë zbukurohej me Muhamedin.
Entuziazmi dhe frymëzimi që i lindi Gëtes gjatë kontaktit
me klasikët e mëdhenj të Islamit dhe me kulturën islame në përgjithësi, por
edhe direkt me Kuranin, do të skalitej fuqishëm tek poezitë e tij në
përmbledhjen “ Divani lindoro-perëndimor”, një titull kuptimplotë, për të cilin
shkrimtari egjiptian Taha Husein thotë: “Divani
nuk është thjesht një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së
madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë evropiane.”[26]
Mesazhi i “Divanit…”
të Gëtes është kuptimi i modestisë dhe thjeshtësisë që mund të vërehen në virtytet
e jetës së përditshme, jashtë kornizave të jo origjinalitetit dhe ngurtësisë.
Kjo modesti dhe ky sinqeritet i paraqitur si sistem i thjeshtë i të jetuarit
arrihet duke e cilësuar Islamin jo si dogmë, por si një jetë thjesht natyrale. Gjithë
këtë bindje, ndjenjë dhe mësim, ai e paraqiti te lexuesit duke i shprehur te
poezia “Prania”. Dialogu mes Hyrisë dhe poetit Gëte është qartësisht i kuptueshëm,
me një gjuhë poetike të madhërishme, me një kuptim të njëmendtë të Islamit, që mbetet
i pakuptuar edhe nga vetë muslimanët. Te poezia “Pranimi”, mesazhi i Gëtes e bën Islamin vetë jetën. Islami mbjell mirësinë
e natyrshme te njeriu dhe lufton pandërprerë për drejtësi, dashuri, mirësi,
duke luftuar të keqen, ligësinë, zilinë dhe urrejtjen. Siç shprehet vetë Gëte
tek “Divani…”: “po qe se Islami është devocion i Perëndisë, në Islam jetojmë e vdesim
të gjithë” [27].
PRANIMI
Hyria
Jam rojtarja e xhenetit,
Ndaj qëndroj këtu në prag;
A s’më thua ku po vete
Ti që po na vjen nga larg?
Ke luftuar për Kuranin?
Je dëshmor i tij i vërtetë?
Apo këtu nga an’e anës
Vjen të futesh në xhenet!
Po të jesh dëshmor, ahere
Zhvishu plagët mi rrëfe
Sepse ndryshe, kjo derë
As t’afrohesh nuk të le.
Poeti
Liro pragun të hyj brenda,
Mos më tall, mos më mundo!
Derisa njeri kam qenë,
Kam luftuar domosdo!
Shihmja plagët kraharorit,
As që numërohen dot,
Ca nga brengat dashurore,
Ca nga jeta derte plot.
Por gjithnjë kam ëndërruar
Për të shenjtën drejtësi;
Mirësia, kam kënduar
Mbetet në përjetësi.
Hoqa keq e mora plagë,
Po te njerëzit papushim,
Dashurinë ndezi flakë,
Zjarr’ i thellë i shpirtit tim.
Nëm pra dorën, Hyri drite,
Le t’i numërojmë
tok,
Të pavdekësisë vite,
Me gishtërinjtë e
tu nga mot!
(Përktheu nga gjermanishtja Jorgo Bllaci).[28]
PËRFUNDIMI
Në bazë të parashtrimit të fakteve që dhamë gjatë
zhvillimit të kësaj teme, por edhe në bazë të përngjashmërisë letrare mes “
Divanit lindoro-perëndimor” të Gëtes dhe “Divanit” të Hafëzit, mbërrijmë në përfundimin se poeti i madh
gjerman Gëte padyshim është ndikuar nga Hafëzi jo vetëm në ndjeshmërinë e tij
poetike të njohur tashmë botërisht, por edhe si njeri dhe intelektual i jetës
gjermane. Gëte, pasi që u ndikua nga
krijimtaria letrare perse, u ndikua edhe në mënyrën e të besuarit. Kështu që ai
ndikoi skjashmërisht tek shoqëria e tij në indoktrinimin me ideologji fetare. Dëshira
e Gëtes që të ndikonte te populli i tij përmes fjalës së shkruar ishte rezultat
i presionit të kishës dhe të drejtuesve të saj në një fushatë diskriminuese
kundër fesë dhe besimit islam, por sidomos kundër Muhamedit si i dërguari i
Zotit. Në këtë fushatë shpifjesh kundër Muhamedit, Islamit dhe Kuranit, u shfaq
në skenë prijësi i poezisë gjermane dhe poeti i madh europian si “mbrojtësi” i
muslimanizmit, duke zgjuar te njerëzit dëshirën jo vetëm për njohjen e Zotit dhe
të Dërguarin e tij por edhe Kuranin si libri i vërtetë i Zotit.
1. “ Divani lindoro-perëndimor” i Gëtes, që doli për herë të parë më 1918, jo vetëm që shënon pikëtakimin më të lartë të
angazhimit të tij me Islamin, por sjell dëshmi dhe fakte letrare, nëpërmjet
poezisë së tij, të interpretimit të pjesëve kuranore, që i ofrojnë njerëzimit
të vërteta të thjeshta, që duhen besuar dhe jetuar, nga vetë natyra që i
rrethon.
2.
Angazhimi
i Gëtes në këtë “Divan …” nuk erdhi
vetëm si ndikim i misticizmit dhe bukurisë poetike të “Divan-it” të Hafëzit, por edhe si dëshirë e madhe e poetit për të njohur
jo vetëm kulturën perse, më të vjetrën në Lindje, por edhe kulturën dhe gjuhën
arabe, pasi që ishte ushtrues i detyrës si profesor në orientalistikë.
3.
Duke
jetuar në një vend jomusliman, Gëte në “Divan-in…” e tij, si vepër letrare poetike me mesazhe
fetare, e deklaroi haptazi jo vetëm Njëshmërinë e Zotit, por edhe Muhamedin si
të dërguarin e Tij të fundit. Gëte, përmes poezive të tij të punuara me dashuri
dhe me një stil të bukur letrar, i rrëfeu lexuesit për fenë e Muhamedit, i cili ishte njeri e jo qenie hyjnore, i cili
vuri rregull, paqe dhe solli dashuri në botën kaotike arabe të kohës, duke qenë
diell udhërrëfyes i asaj bote të trazuar nga idhujtaria dhe luftërat fisnore.
4.
“Divani perëndimor-lindor” i Gëtes, përmes fjalëve poetike, i tregon botës
katolike dhe katolicizmit se feja islame dhe ritualet e saj janë devocione të
cilat e bëjnë njeriun më të mirë, më të paqtë, më të ndershëm, më të dashur dhe
në thelb më njerëzor, jo vetëm ndaj vetes dhe besimit të tij, por edhe ndaj të
tjerëve, ndaj pjesës tjetër të botës së krishterë dhe besimit të tyre tek
Jezusi, si i dërguari i Zotit, duke besuar se feja islame e pastron shpirtin,
trupin dhe zemrën e njeriut nga ligësia, smira, urrejtja dhe e keqja.
5.
Me
këtë shpallje që i bëri botës dhe pjesës intelektuale të botës perëndimore
nëpërmjet “Divan-it”, Gëte deklaroi
dhe pranoi me zë të lartë se e pranonte fenë islame si të vetmen fe të drejtë, se
të gjithë njerëzit padashur janë brenda tyre myslimanë dhe se tek Islami mund
të gjendet streha dhe shpëtimi i shpirtrave të trazuar të njerëzimit, duke
përçuar në Europën moderne mesazhin se Zoti është Një dhe se Muhamedi është i
dërguari i Tij.
Literatura e përdorur:
1. West – Easter Divan – Johann Wolfgang Von Goethe, in twelve books, translater by- Edward DOWDEN.
2. “Gëtja në mes të Perëndimit dhe Misticizmit Oriental”, Edvin Cami,
Tiranë, 2009.
3., “Hafëz i
Gete”, Zbornik radova pripremila: Andelka Mitrovic, Beograd, 2003.
4. GËTE –
POEZI, Rilindja, Prishtinë, 1989.
5. “Antologji e
poezisë persiane”, Dalan Shapllo (FONDACIONI KULTUROR SAADI SHIRAZI),
“Albas”, Tiranë
6. “Letërsia e
krahasuar,” Yves Chevrel, përktheu: Ali Xhiku, “Albin”, Tiranë
7. “Mistika në
universin e poezisë klasike perse”, shqipëroi: Dalan Shapllo, “Albas”,
Tiranë, 2011
8. HAFËZ SHIRZI - Poezi, Shqipëroi Dalan Shaplo, Tiranë.
9. “Irfani i Hafëzit”, Murteza Motahari, SH.K.Kurani Kosovë, 2011.
10. “Letërsia dhe gjuha shqipe” për vitin e tretë,
Ministria e Arsimit Shqipëri, 2008.
11. htt://halilibrahimi.
blosgstpot.com
15.
DIVANI- Institut IBNI SINA,
Sarajevo,2006.
16. Fjalor fjalësh të huaja në gjuhën shqipe - Botimet
TOENA.
Përmbajtja :
Faqe
1.
HAFËZ SHIRAZI DHE VEPRA
E TIJ POETIKE........................................1
2.JOHAN WOLFGANG
VON GOETHE DHE VEPRA E TIJ POETIKE........4
2. HAFËZI DHE GETE – QASJE KRAHASIMTARE......................................7
3. GËTE DHE DIVANI.....................................................................................12
4.
KARAKTERISTIKAT E PËRBASHKËTA
TË DY DIVANEVE .............15
5.
FILOZOFIRAT E PËRBASHKËTA TE TË DY DIVANET......................17
6.
REMINISHENCAT DHE
SIMBOLIKAT.....................................................19
7.
KONKLUDIMET E GËTES PËR “DIVANIN” E HAFËZIT......................21
8.
MESAZHET
.................................................................................................24
9. PËRFUNDIMI
..........................................................................................28
[14] Hafëz;
Mistika në universin e poezisë klasike
perse; shqipëroi: Dalan Shapllo, “Albas”, Tiranë, 2011, f. 63.
[17]Hafëz;
Mistika në universin e poezisë klasike
perse; shqipëroi: Dalan Shapllo, “Albas”, Tiranë 2011, f.103.
18
Hafëz; Mistika në universin e poezisë klasike perse; shqipëroi: Dalan
Shapllo, “Albas”, Tiranë 2011, f. 15.
[27] Po aty.