Tuesday, December 11, 2012



SHKOLLA E ALLAHUT  TË  LARTËSUAR

Autor: Ikballe Berisha Huduti



“......dhe ne e zbritëm Kuranin,  shpëtim dhe mëshirë për besimtarët.....”-El Isra 82

            Kurani Famëlartë është libri hyjnor, vlen për të gjitha kohërat, ndërsa dispozitat e tij janë të vlefshme për të gjithë njerëzimin. Kurani Fisnik ka zbritur nëpër etapa dhe raste të njëpasnjëshme, si  dhe  në muajin e shenjët të Ramazanit u përmblodh në Natën e Kadrit në zemrën e pastër  të pejgamberit  Muhamed s.a.a.
Njeriu duhet ta kuptojë se jeta prej tij kërkon shumë përgjegjësi dhe ai vetë nuk është i aftë ti përmbush dot  të gjitha këto përgjegjësi gjersa nuk posedon  dituri. Atij i nevojitet një mësues dhe një udhëzim që do ti ndihmoj  në përmbushjen e këtyre nevojave.
Ne nuk jemi të  krijuar së koti,  por kemi qëllimin e krijimit është krijuar i Dërguari I Allahut edhe njeriu i thjesht duhet ta ketë këtë qëllim të jetës.  Ky qëllim i jetës për të gjithë pejgamberet kanë qenë unanimisht i pranuar,  që njeriu të ngritët moralisht  dhe të  lartësohet në saje të adhurimeve që i bëjnë Allahut xh.sh. dhe në bazë të praktikumit të urdhrave të pranuara nga Ai.
 Që të mund të jemi të dobishëm për veten dhe shoqërinë  duhet të ndjekim shkollën e Allahut.  Sikurse çdo shkollë edhe  shkolla e Zotit ka nevojë për një libër, dhe ai është Kurani  Fisnik, kjo shkollë ka nevojë edhe për një mësues e ai është hazreti Muhamedi s.a.a.. 
            Shkolla e Allahut ka nevojë për klasë dhe klasa e kësaj shkolle është e gjithë bota. Përmbajtja e mësimeve të kësaj shkolle të Zotit përbëhet prej mësimeve, rregullave fetare, etikës të cilat mund ti gjejmë në Kuranin Famëlartë.
             Shkollimi  fillon nga  parashkollorët e deri në vdekje, në hadithe thuhet që prindërit e kanë për detyrë që tua mësojnë fëmijëve faljen e namazit, agjërimin  e muajit ramazan, leximin e Kuranit Fisnik , deri sa të arrijë në moshën e pjekurisë e pastaj ai do të hulumtojë e mësojë me potencialin e vetë dhe kushtet që i ofrohen.  Imam Aliu a.s. numëron obligimet themelore të prindërve ndaj fëmijëve, sepse këto kanë shumë ndikim më vonë në krijimin e personalitetit të njeriut ai thotë;
 “E drejta e fëmiut është që prindërit t’i emërojnë me emër të bukur, t’a edukojnë mirë dhe t’ia mësojnë leximin e Kur’anit”
 Gjatë mësimit të mësimeve islame  prindërit duhet të insistojnë që fëmija i tyre çdo ditë e më shumë ti praktikoj këto mësime deri sa të vijë në moshën e pjekurisë,  atëherë kjo praktikë fillon të kaloj në obligim (farz) apo përgjegjësi, shprehi dhe kënaqësi duke shijuar ëmbëlsinë dhe shpërblimin e këtyre veprave adhurimi si në këtë botë ashtu edhe në Ahiret.
Në moshën e pubertetit apo të pjekurisë, që për vajzat është mosha nëntë vjeçare e për djemtë është mosha pesëmbëdhjetë vjeçare pas gjithë atyre viteve të mësimit dhe praktikimit, këto mësime kalojnë në përgjegjësin e fëmijëve ndërsa prindërit e kryejnë një amanet të madh  që i kanë mësuar të bëhen robër të mirë dhe të fillojnë jetën e tyre me adhurim, derisa inshallah të gjithë të hyjmë dhe ta japim provimin përfundimtarë para Allahut xh.sh, si dhe të bëhemi prej banorëve të xhenetit.
Nëse rrethi dhe kushtet se kanë ofruar një atmosferë edukative islame, ku ka munguara praktikimi i fesë, për shkaqe dhe rrethana të ndryshme dhe ju nuk keni mundur që këto gjëra ti mësoni dhe praktikoni që nga fëmijëria,  besojmë se kurrë nuk është vonë të i përvileni rrugës së Allahut duke studiuar e praktikuara me kënaqësi dhe liri të plotë.
- Çka duhet të bëjmë ?
 Ne nuk duhet të dëshpërohemi por duhet t’ia mësymë  punës për mësim në shkollë të Allahut, qoftë edhe në moshën më të shtyrë, qoftë edhe para vdekjes. Kjo shkollë e cakton moshën por nuk e kufizon, sepse adhurimi (ibadeti) më i pëlqyer është marrja e diturisë qoftë edhe deri në vdekje. Pejgamberi s.a.a. na ka këshilluar me fjalë mjaftë bindëse duke argumentuar se:
“Gjumi i dijetarit është më i mirë se namazi i të paditurit"                                             Gjithashtu Imam Sadiku a.s ka thënë;
“Është detyrim për njeriun që të mos vdes pa e mësuar Kuranin a.m., ose së paku vdekja ta takoj duke qenë në të  mësuarit e shkronjave të  Kur’anit a.m.”  

Miq të nderuar! Me siguri keni vërejtur se në shumë shtëpi falet namazi apo falet i zoti shtëpisë, një plakë i ngrysur, ndërsa të tjerët nuk e falin namazin apo nuk praktikojnë islamin aq sa duhet. Bëhen disa veprime qoftë agjërimi, namazi, haxhi  e tjera në mënyrë shumë tradicionale. Shpesh herë dëgjon nga disa mysliman kur thonë “ gjyshi im ka qen hoxhë e hafëz dhe ne jemi familje e hafëzëve... “ a në realitet tek vet ata që thonë këtë aspak nuk mund të vëresh hije të islamit. Mbi të gjitha  këta njerëz  për fat të keq kanë ra në kthetrat e mburrjes avulluese dhe nuk kanë vijuar në shkollën e Zotit dhe tani i praktikojnë disa farze duke mos pasur dituri dhe bindje për veprat që bëjnë.
Njeriu i paditur nuk mund ndiej kënaqësinë e këtyre veprave, e lëre më të jetë i bindur sinqerisht, andaj namazi apo leximi i Kuranit me shkronja arabe, siç është e njohur tek populli Hatmja e Kuranit,  nuk mund të influencojë dhe shkëlqejë  tek të gjithë anëtarët e familjes,  përpos tek ata të cilët vendosin të shkojnë në shkollën e Allahut. Është e hidhur kur takohesh me njerëz tradicionalist mysliman, që me mësimet e tyre mbesin gjithmonë në parashkollor apo në klasë të parë duke u mburrur me të parët e tyre.
 Për ta ndier në shpirt dobinë e leximit të Kuranit ne duhet të i përmbahemi ajetit Kuranor i cili thotë: “Nuk e prekin atë përveç të pastërve” . Sipas transmetuesve të mëdhenj të Kuranit ky ajet ka dy domethënie, domethënia e parë është se njeriu nuk ka të drejtë t’i prek shkrimet e Kuranit a.m. pa pastruar veten fizikisht këtu mendohet për abdesin. Domethënja tjetër më e thellë është që nëse doni ta kuptoni Kuranin a.m. duhet ta pastroni veten tuaj nga veset dhe imoraliteti. Gjithashtu Allahu i Lartësuar në Suren Bekare ajeti dytë  ku thuhet:

ذَلِكَ الْكِتَابُ لاَ رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ
“ Ky libër ( Kurani) në të cilin nuk ka dyshim aspak është udhëzim për të devotshmit! Bekare -2

 Kjo këshillë e madhe Kuranore do të ishte edhe një lajmë i mirë për të gjithë ata që kanë vendosur të fillojnë nisjen e leximit dhe studimit  të këtij Libri të Shenjët Kuranit Fisnik, ngase me leximin e Kuranit ju jeni të udhëzuar. 
Athua, a mund të jetë Kurani udhëzim për në kriminel, hajn, të koruptuar, amoral e të shthurur?  Jo pra, kurrsesi. Kurani është udhëzim për të devotshmit, të jeni të sigurt se ju që keni kontakt me Kuranit do të  jeni prej të pastërve dhe jeni me fat që ju ka zgjedh Zoti për këtë punë si nxënës të shkollës së Tij.
Feja Islame para se të praktikohet duhet të mësohet, mësuesi i Kuranit Pejgamberi s.a.a. na udhëzon “ Kërkojni  diturin qoftë edhe në Kinë. Vërtet kërkimi i diturisë është obligim  farz për çdo musliman”. Allahu është Falës dhe Mëshirues (Gafurur Rahim)  për të gjithë neve që dëshirojmë të jemi nxënësit e Pejgamberit s.a.a. dhe të familjes së tij që janë mësues dhe Imam (udhëheqës) të njerëzimit deri në ditë të Kijameti. Ja si na këshillon Muhamedi s.a.a. në lidhje më dijetarët mësuesit e fesë  “Kush shkon për të takuar një dijetarë, ka shkuar për të më takuar mua (Pejgamberin s.a.a.), kush ulet me dijetarë është ulur pranë meje, e kush ulet pranë meje sikur të është ulur pranë Zotëriut tim pra Allahut xh.sh.”
            Qëllimi i jetës është që të marrim mësim dhe të përsosemi çdo ditë e më shumë,  të jemi të vyeshëm për vete dhe të tjerët, dija të na jetë udhëheqës në punët tona, ti ndriçojmë mendjet tona me dije të gjithanshme, siguria  e çdo njërit gjendet në dituri e jo në pasuri, sepse pasurin duhet ta ruash e dituria të ruan, pasuria shuhet ndërsa dituria mbetet sa të ekzistojë koha, gjithashtu pasuria pakësohet ndërsa dituria është si zinxhir, sa më shumë që ia shtonë rrathët ajo zgjatet dhe forcohet, më pas do të shohim dobinë e mrekullueshme të Kuranit.
Allahu xh.sh. në shumë ajete të Kuranit  Fisnik dëshiron t’i vetëdijesojë   njerëzit për vlerat dhe dobitë të cilat vinë nga dituria, andaj dhe bënë shumë krahasime që njerëzit t duan diturinë me gjithë zemër.
Thuaj:A janë njëlloj ata që din dhe ata që nuk dinë? Mësim marrin vetëm të mençurit”.
(Zumer 9)
“Allahu , ata nga mesi i juaj, që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dijenia, do t’i ngrit në shkallë të lartë. Allahu është i informuar se çka punoni.”



  
Dhurata e kësaj Shkolle të Allahut të Lartësuar

Të dashur  miq,  Allahu do të ndryshojë gjendjen tuaj në të mirë në momentin kur ju vendosni ti mësoni  shkronjat e  para të këtij Libri të Shenjët. Dhuratat për të gjithë nuk do të mungojnë andaj ejani të shpejtojmë në punë të mira për të gjet kënaqësitë në të dy botët dhe për të larguar hidhërimin e Allahut nga ne.

·   Nëse jeni para pubertetit dhe filloni të mësoni leximin e Kuranit, Pejgamberi ju përgëzon me këto premtime,  se ju do të jenë të dalluar nga fëmijët tjerë  dhe juve ju takon  pozitat udhëheqëse në të ardhmen tuaj.

Pejgamberi  Muhamedi-paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij ka thënë:
Ai që lexon Kuran para moshës së pjekurisë, atij është dhënë e drejta e udhëheqjes.

·   Nëse jeni të moshë rritur  në kohë të rinisë dhe keni vendosur të filloni mësimin e leximit të  Kuranit edhe për juve Pejgamberi s.a.a. ju përgëzojë se në Librin e Zotit do të gjeni udhëzime , këshilla për të pasur një jetë të lumtur.  
                
Pejgamberi  Muhamedi-paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij ka thënë:
Thënia më e vërtetë, këshilla më e lartë dhe tregimi më i përsosur është libri i Allahut xh.sh.
Si dhe:
Lexojeni Kuranin dhe thellohuni në përmbajtjen e tij, sepse Allahu nuk e dënon atë zemër e cila është kuptuese e Kuranit.

·   Nëse  dëshironi të keni personalitet  dituri dhe moral të lartë atëherë atë mund ta gjeni vetëm përmes këtij libri të shenjët pra Kuranit Famëlartë duke u bazuar në thëniet e Pejgamberit s.a.a.
Profeti Muhamed (s.a.a.) ka thënë:
“S’ka dyshim se studiuesi e Kuranit janë në shkallë më të lart se gjithkush tjetër, përveç pejgamberëve. Prandaj mos ia dobësoni të drejtat atyre ( studiuesve të Kuranit)  sepse ata tek Allahu kanë një pozitë të lartë”
Si dhe :
“Mësojeni Kuranin vet, pastaj mësojuani atë të tjerëve.”
Si dhe:
“Ai që lexon Kuranin, është njëlloj sikur të jetë i rrethuar prej kurorës se profetësisë me përjashtim të faktit se atij nuk i vjen shpallja.”

·   Gëzimi më i madh i  besimtarit  është  atëherë kur arrin të mësoj  përmendësh  qoftë edhe disa sure të shkurta, andaj ti vendos të bëhesh hafëz apo mbartës i Kuranit me aq sa do të arrin, se vërtet Allahu xh.sh. është mbrojtës dhe dashamirë i hafëzëve të Kuranit. Mos të harrojmë se hafëzët janë persona të zgjedhur tek Zoti dhe në shoqëri, ja seç na këshillon Pejgamberi s.a.a.

Pejgamberi  Muhamedi-paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij ka thënë:
 “Kush mëson përmendësh 100 ajete është prej të vëmendshmëve dhe kush mëson përmendësh 200 ajete është prej të përulurve.”

Si dhe:
“Mbartësit e Kuranit (hafizat) janë të veshur me dritën e Tij. Ai qe i urren ata, ka urryer Allahun dhe ai qe i donë ata e donë Allahun xh.sh.”
Si dhe :
“Hafizi i Kuranit është mbajtësi i flamurit Islam. Ata që e respektojnë atë, kanë respektuar Allahun xh.sh. ndërsa ata, që kanë ofenduar hafizët kanë ofenduar  Allahun xh.sh.”
Si dhe :
“Lutja e mbartësit  të Kuranit është e pranueshme.”
Si dhe :
“Mbartësit  e Kuranit janë më të përsosurit e banorëve të xhenetit.”
Si dhe:
“Më të nderuarit e ymetit tim janë mbartësit e Kuranit dhe falësit e natës.”
Si dhe:
“Atij që Allahu ia mbarëson mësimin përmendësh të Librit Tij dhe mendon
se të tjerave u është thënë diçka me e mirë se sa atij, ai ka mohuar mësimin më të përsosur”

·   Kur të duket se  të ka kapluar vetmia, sëmundja, varfëria apo ligësia mos u dëshpëro dhe mos e humb shpresën por drejtoju Allahut me leximin e Kuranit mu kështu siç këshillon i Dashuri Allahut Muhamedi s.a.a.

“Ai person që ka mall për Allahun, le ti dëgjojë fjalët e tij.
 Si dhe:
“Zemrat ndryshken njëlloj siç ndryshken hekurat. Njeri nga të pranishmit e pyeti :Cili është pastruesi i ndryshkut të zemrave . Ai (s.a.a.) iu përgjigj: leximi i Kurani.”
 Si dhe :
“Nuk ka varfëri për atë që lexon Kuran.”
 Si dhe:
“Cilido që lexon Kuran duke shikuar në të, shikimi i tij do të gjejë kënaqësi të madhe.”
 Si dhe:
“Nëse dikush dëshiron të flas me Zotin e tij, le të lexoj Kur”an.”

·   Njeriu i sprovuar nga jeta, gjithnjë ka dëshirën të pendohet dhe të jetë i mëshiruar , e sidomos kur  besojmë dhe jemi të bindur  se Dita e Gjykimit që do të jetë realitet për të gjithë ne. Mjerim e shkatërrim është për ata persona që në vete nuk mbajnë asgjë nga Kurani qoftë në  bindje apo në vepër prandaj :

Pejgamberi  Muhamedi-paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij ka thënë:

“ Selman Farisit (r.a):-O Selman lexo sa më shumë Kuran, sepse leximi i tij është eliminues  i mëkatëve, mbrojte prej zjarrit dhe prej dënimit.”
Si dhe:
“Për dijetarin e Kuranit luten për rahmet, të gjitha krijesat gjeri deri peshqit e detit.”

 Si dhe:
“Lexuesit e Kuranit i largohen fatkeqësive në Ditën e Gjykimit”

 Si dhe:
“Ata sy që lotojnë gjatë leximit të Kuranit, do të kenë kënaqësinë më të madhe ne Ditën e Gjykimit.”
Si dhe:
“Ai person, në brendësin e të cilit nuk gjendet asgjë prej Kuranit është si ajo banesa e shkatërruar.”

·    Dëshira për xhenetin është një shpresë e pafund deri në momentin kur ajo të na realizohet, andaj të mësojmë Kuranin qoftë edhe në moshë të shtyrë apo me vështirësi.  Dhashë Allahu që  çdo njëri nga të devotshmit, së paku të i mësoj shkronjat apo të lexojë  sado pak Kuranin para vdekjes së tij. Lidhur me këtë Pejgamberi s.a.a. ka thënë:

“Cilido që mëson Kuranin dhe zbaton ato qe gjinden në të, Kurani do të jetë shërues dhe drejtues i atij personi për në xhenet.”
Si dhe:
“Për atë person që Kurani është biseda e tij dhe xhamia është shtëpia e tij, Zoti do ti dhurojë një shtëpi në xhenet.”
 Si dhe:
“Kush e lexon Kuranin me vështirësi  do të ketë më shumë shpërblime.”
Si dhe:
“Cilido që e mëson Kuranin vetëm për këtë jetë dhe për fitimet e saj, atij Allahu do t’ia ndalojë xhenetin.”
Si dhe:
“Kush lexon në muajin e Ramazanit një ajet Kurani, shpërblimi i tij do të jetë i barabartë me shpërblimin e atij që e ka lexuar gjithë Kur’anin në muajt e tjerë.”


·   Mëshira  apo rahmeti i Allahut është gjëja më e nevojshme që njeriut i duhet në çdo hap të jetës , por mos të harrojmë se puna dhe veprat tona duhet gjithmonë të shkojnë barabart  me lutjet tona, andaj lutjet e lexuesit të Kuranit janë  më të pranuarat, ja të shohim se çka na këshillon Pejgamberi s.a.a.
“Kur lexon Kuran besimtari, shtohet më tepër mëshira e Allahut për atë.”
Si dhe:
“Ai që e fillon leximin e Kuranit dhe e mbaron atë ( kryen hatmetul Kuran)  lutja e tij është e pranueshme tek Allahu i Lartësuar.”


·   Adhurimi më i mirë është në studim andaj të nderuar miq pasi të keni filluar të lexoni rrjedhshëm Kuranin, tani është koha të filloni studimin tij si dhe të zbukuroni Kuranin me ushtrimin e zërit tuaj që të jetë sa më i këndshëm në veshin e të tjerëve dhe të jetë shkak apo sebep që edhe të tjerët të fillojnë të lexojnë Kuranin e Shenjët.  Ja si na këshillon Pejgamberi – paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij.

“Mësojeni Kuranin dhe shtoni leximin e tij.”
Si dhe::
“Më i devotshmi tek  Allahu xh.sh. në fshehtësi dhe  dukshmëri, është studiuesi i Kuranit”
 Si dhe:
“Adhurimi më i përsosur i ymetit tim është leximi i Kuranit”
Si dhe:
“Kush dëshiron diturinë e të parëve dhe të atyre të fundit, le të lexojnë Kuran.”
 Si dhe:
“Lexojeni Kuranin me melodinë arabe dhe me zërat e tyre.”
Si dhe:
“Zbukurojeni Kuranin me zërin tuaj, sepse zëri bukur ia shton bukurin e Kuranit.”
 Si dhe:
“E pyetën Pejgamberin s.a.a.; -Cili njeri e ka zërin më të bukur për Kuranin?
Ai s.a.a. iu përgjigj:
-Ai person të cilit, kur të dëgjosh leximin e tij dhe  vëresh  se ai i frikësohet Allahut të Lartësuar. “ ( pra leximi i Kuranit me përkulshmëri)”



Mirësitë e  Kuranit Fisnik
                                                                        
            Të lexuarit dhe studiuarit e Kuranit a.m. janë dy vepra të pandashme të cilat personin e afrojnë tek  Allahu xh.sh., andaj çdo mysliman i sinqertë i cili pas leximit ose duke lexuar Kuranin a.m. thellohet, mediton dhe studion më pas për ajetet e tij, ai person do t’i vërej dhe shijoj mirësitë e Kuranit a.m. në të dy botës. Leximi i këtij libri të shenjët numërohet si njëri prej ibadeteve  (adhurimeve) më madhështore, si ilaç kundër sëmundjeve morale të cilat sjellin fatkeqësi  dhe jetën na dërgojnë në humnerë.
            Të lexuarit rrjedhshëm të Kuranit a.m, bukur leximi me texhvid (rregulla),  meditimi, studimi si dhe ndarja e kohës ditore për t’iu kushtuar Kuranit a.m.  sjellë shumë mirësi (fadilete) që bëjnë ndryshime të hatashme në jetën e njeriut duke larguar terrin me dritë e të keqen me të mirë dhe devijimin me udhëzim.
            Feja islame është nder, respekt, sinqeritet dhe fisnikëri, që ne ia kemi borxh Allahut xh.sh. Këtë borxh do ta paguajmë vetëm atëherë kur në planë programit tonë jetësorë e kemi në radhë të parë leximin dhe studimin e përditshëm të këtij Libër të famshëm  që është udhëzim për të gjithë njerëzimin që dëshirojnë të bazohen në ligjet e tij dhe të kenë jetë shembullore për vete dhe pasardhësit e tij.  
            Lumturia dhe fati më i madhe për të gjithë neve myslimanët është, që Allahu xh.sh. na ka zgjedhur të jemi prej umetit të Muhamedit s.a.a.  Ai çdo gjë që ka krijuar duke pasur hatrin e Muhamedit s.a.a.,  duke filluar prej tokës qiellit e deri te insekti më i vogël. Besimi dhe dashuria për Pejgamberin s.a.a. si mësues të njerëzimit, në mesin e myslimanëve  gjithmonë është shprehur duke i dërguar salavate duke bërë manifestime kremtime të ditëlindjes së tij ( mevlude)  dhe duke kërkuar shefatin (ndërmjetësimin) e tij për të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër.
 Kur thuhet Allahumme asaluke bi-Nebijjike Muhammed (O Allah! Të përgjërohem me pejgamberin Tënd Muhammed),(1) kjo do të thotë: “Kërkoj prej Teje në bazë të besimit dhe dashurisë që kam për të Dashurinë Tënd nga kjo kuptojmë se  Allahu xh.sh. për hatrin e Pejgamberit, neve na ka krijuar si musliman, na ka dërguar mësuesin   e njerëzimit, ndërsa ajetet Kuranore na ka bërë mjet  për t’iu afruar Zotit, përmes bindjes ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij. Kush i bindet Profetit, i është bindur me këtë Allahut. Madje njeriu i parë i krijuar, Ademi a.s., iu përgjërua Allahut për falje përmes hakut të Muhamedit s.a.a me fjalët: "O Allah! Për hakun e Muhamedit s.a.a. të lus të m’i falësh fajet."(2)
      Dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberit - paqja qoftë mbi të  dhe familjen e tij, ata janë mësuesit e njerëzimit, andaj për të fituar mirësitë e Leximit të Kuranit ne duhet të jemi nxënës dhe studiues të pandashëm të këtij libri të shenjët, që të mund ti shijojmë mirësitë e tij të pashtershme në të dy botët. Allahu i Lartësuar na ruajt nga leximi jo i sinqertë i Kuranit dhe dhashë Allahu që të mos jemi dëshmitarë të kohës së ligë, kur Kuran  Fisnik do të lexohet mu kështu siç na ka thënë Hz. Alia në një thënie apo hadith të mençur.

Prijësi i besimtarëve-Hazreti Imam Aliu, Allahu qoft i kënaqur me të ka thënë: Do të vijë një kohë për njerëzit,  kur për ta nga Kurani nuk do të mbetet gjë pos shkronjave të tij, ndërsa nga Islami asgjë pos emrit të tij. Xhamitë e tyre në atë kohë do të jenë të mëdha në aspekt të ndërtimit, porse të zbrazëta në aspekt të udhëzimit. Ata të cilët rijnë në to dhe ata të cilët i vizitojnë ato do të jenë nga më të urrejturit ndër banorët e tokës. Prej tyre do të përhapet huti dhe atyre do t’u jetë e afërt çdo gjë që është e prapë. Nëse dikush ndahet nga kjo, ata do ta flakin prapa në të. Kurse nëse dikush prapësohet nga kjo, ata do ta shtyjnë në të. Allahu i Madhëruar thotë: “ Betohem me emrin Tim se do të lëshojë mbi ta sprovë nga e cila edhe i urti do të hutohet!” dhe Ai këtë do ta bëjë. I lutem Allahut të na mbrojë nga të rënët në pakujdesi!(3)

 Autor: Ikballe Berisha Huduti.
Nëntorë 2009 Prishtinë




>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>><<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<< 

LITERATURA                                                                                                             
-Kurani Fisnik nga përkthimi i Doc.Prof. Feti Mehdiu
 Libri shkollor Islam -Mësimi i Kur’anit Kerim, botuar nga” Foundacioni i Kura’anit”  Tiran
*
(1) Sherh al-Mawahib, vol. 8, f. 304; el-Mexhmu', vol. 8, f. 274; Ibn 'Abidin, vol. 5, f. 254; al-Fetawa al-Hindijjeh, vol. 1, f. 266 dhe vol. 5, f. 318; Fet’h ul-Kadir, vol. 8, f. 297, 298 dhe el-Futuhat el-Rabbanijjeh 'ala el-Azker en-Nebewijjeh, vol. 5, f. 36.

(2) Bejhaki, Dela'il en-Nubuwweh, vol. 5, f. 489 (Dar al-Kitab al-'Ilmijjeh, Beirut), cituar në al-Mausu'ah al-Fikhijjeh el-Kuwaitijjeh, vol. 24; el-Hakim, el-Mustedrek, vol. 2, f. 615, Ibn Tejmijje, al-Fatawa, vol. 1, f.
(3)Nehxhul Belaga – Shtegu i elokuencës, (Fjalimet, letrat dhe fjalët e urta nga Hz. Imam Aliu Ibn Ebi talibi) cituarë në faqen 342 fjalë e urtë numër 379 – material i mbledhur nga ESSEJID ESH-SHERIF ER-RADI,