Wednesday, September 26, 2012


   Kush është Hazreti Fatimja s.a. –paqja qoftë mbi të



Me rastin e lindjes së  Hz. Fatimes  (selamullahi aleja), Allahu i Lartësuar zbriti  Suren KEWTHER -  pra “Mirësi të shumta”   
 Fatimja u  lind në shtëpinë ku për herë të parë u dëgjua leximi i tekbirit, adhurimi i Allahut dhe përmendja e Tij.
Hazreti Fatimja (paqja qoftë mbi të) ishte e veçantë nga motrat e tjera sepse ajo lindi  pesë vite pas fillimit të shpalljes së Kuranit, në kohën kur Muhammedi s.a.a. tani më ishte caktuar si i  Dërguari i Allahut.
Hazreti Fatimja (paqja qoftë mbi të) u  edukua pranë të Dërguarit të Allahut, në shtëpinë e pejgamberisë, aty ku ishte vendi i zbritjes së engjëjve dhe qendra e zbritjes së ajeteve të Kuranit. 
Fatimja e vogël rritej në shtëpinë e babait të saj Pejgamber dhe i pranonte mësimet e Allahut në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse babai i saj e mësonte atë në mënyrë të veçantë. Çdo ditë e saj kalonte duke u sprovuar, e çdo natë e saj kalonte në asketizëm.
Fatimja mbeti jetime në kohën kur i duhej më së shumti nëna  Hatixhe, por ajo, krahas mungesës së nënës, mori një përgjegjësi dhe shfaqi një përkujdes të madh  ndaj babait të saj  Pejgamber dhe, për këtë arsye, i Dërguari i Allahut e quajti atë “UMMI EBIHA” (Nëna e babait) sepse ajo ishte njëkohësisht edhe vajzë, edhe nënë e babait të saj.
Aq shumë e donte Pejgamberi bijën e tij, Fatimen, saqë kur asaj i erdhi koha të martohej, i   dërguari i Allahut u plogështua nga mërzia që kishte. Kur e kuptuan dashamirët e tij se Pejgamberi vuante për largësinë e bijës së tij,  ata e ndërruan shtëpinë e tyre  me Imam Aliun,  në mënyrë që Pejgamberi ta shihte përballë vajzën e tij sa herë që ta merrte malli.
I dërguari i Allahut ka thënë: Vajza ime Fatimja është femra më e virtytshme prej të gjitha femrave të botës. 
“Oj Fatime, Allahu të ka zgjedhur ty, të ka dhënë epërsi ndaj të gjitha femrave të botës.”   
Pejgamberi s.a.a.  kishte aq shumë respekt ndaj bijës së tij, saqë zgjonte habi tek të tjerët. Sa herë që Fatimja hynte në dhomë, Pejgamberi pavarësisht personalitetit të lartë që kishte,  ngrihej, ia  puthte duart dhe e ulte tek vendi i tij.
I dërguari i Allahut përdorte gjithmonë shprehje të larta për personalitetin e Fatimes. Ndonjëherë thoshte lule (Rejhane), ndonjëherë e ndritshme (Zehra), ndonjëherë thoshte “Fatimja është pjesë e trupit tim” dhe ndonjëherë tjetër “Fatimja është njeriu më i dashur për mua.” Në një rast tjetër thoshte: “Çdokush që e gëzon Fatimen, më ka gëzuar mua dhe çdokush që e hidhëron Fatimen më ka hidhëruar mua. Ndërsa gëzimi dhe hidhërimi im është gëzimi dhe hidhërimi i Allahut.”

Muhamedi (salallahu alejhi ve alibi) ishte Kurani i gjallë, ndërsa Fatimja ishte brendia e Kuranit, sepse ajo ishte më shumë se hafize e Kuranit. Ajo ishte pjesë e Kuranit, sepse Kurani fliste për të dhe familjen e saj të mrekullueshme.
Fatimja ishte Masume – e paprekur nga mëkatet.  Kjo vërtetohet në suren Ahzab.
Fatimja ishte mëshiruese, bamirëse dhe altruiste e madhe, pasi ajo brengosej më shumë për të tjerët se sa për veten. Kjo vërtetohet në  suren  Insan.
Hazreti Fatimja kishte një qëndrim plotësisht femëror. Ajo e dëshmonte me veten e saj se është nëna e gjithë umetit musliman, andaj Pejgamberi e thërriste atë UMMI UMEH – Nëna e Umetit musliman. Ajo e meritonte këtë, sepse ishte nëna e Hasanit, Husejnit dhe e 12 imamëve lider.
Hazreti Fatimja (selamullahi alejaha) shkonte kudo që preferonte babai i saj. Edhe në rastin kur u nxit mallkimi për ata që mohonin pejgamberinë dhe Islamin e vërtetë. Prandaj Mubahila  mbeti argument në suren Ali Imran.

 Mbi të gjitha, Fatimja ishte KEWSER (me mirësi të shumta), simbol i trashëgimisë dhe i mirësisë së Islamit në atë kohë, sot, nesër dhe deri në Ditën e Kiametit.
Pra, Fatimja është Fatime.